Pastrimi i parave, bllokohen 3 mln euro
BLEDAR HOTI
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka propozuar heqjen e licencave tre subjekteve pranë organeve mbikëqyrëse licencuese, për shkak të dyshimit të pastr-imit të parave me qëllim financimin e terrorizmit, ndërsa ka bllokuar 36 llogari ba-nkare për vitin 2009. Kështu ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, Arben Doçi në raportimin e bërë para komisionit parlamentar të Sigurisë. Në raportin 10 mujor prej 31 faqesh, Drejtoria e Pastrimit të Parave nuk jep me emra konkretë firmash të penalizuara. Një vëmendje e madhe në raport i kushtohet çështjes së financimeve ilegale që synohet për efekte terrorizmi. “Gjatë këtij 10 mujori i kemi dërguar në SHISH 70 raste të dyshuara për pastrim dhe financim terrorizmi dhe kemi marrë informacion për 13 raste për të cilat SHISH ka pasur të dhëna për pastrim parash”, thuhet në raportin e paraqitur. Ndërsa bëhen publike bllokimi i miliona eurove si rezultat i dyshimit të pastrimit të parave. “Gjatë 10 mujorit janë dhënë 18 urdhra bllokimi, janë bllokuar 36 llogari bankare, në të cilat janë bllokuar 3.149.843 euro, 20 mijë USD, 75.285 lekë dhe 1.060 metër katror truall. Nga kjo vlerë e bllokuar janë sekuestruar nga Prokuroria dhe Gjykata në shumën 2.729.843 euro”, thuhet në raportin e Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Sipas Doçit, drejtoria arriti të bllokojë nga një grup struktural kriminal një shumë prej 2.5 milionë euro, para këto të fituara nga veprimtaria kriminale e trafikut të qenieve njerëzore e shfrytëzimit të prostitucionit. “Në rastet e referuara pranë Njësisë së Përbashkët Hetimore të Prokurorisë Tiranë, vepra e origjinës ka qenë trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore, korrupsioni. Po kështu në raste të referuara bëjnë pjesë individë, të cilët kanë përdorur kredi bankare si koperturë për burimin e të ardhurave, të gjeneruara në fakt nga kryerja e veprave të ndryshme penale. Për herë të parë në muajin qershorit 2008 është kryer arrestimi i parë nga ana e Policisë Gjyqësore, bazuar në një hetim penal të iniciuar mbi bazën e referimit të kryer nga DPPP-ja. Sipas raportit, institucioni i tij si rezultat me institucionet homologe apo me ILDKP-në, SHISH, janë deduktuar raste të dyshimta ku paratë që nuk kanë burime të ligjshme janë investuar në degë të ndryshme të ekonomisë si “ndërtim, hoteleri, shitblerjen e pronave të paluajtshme, janë investuar në arsim e në sektorin medicinal, janë depozituar në banka”. Gjatë vitit 2009, Drejtoria e Pastrimit të Parave ka marrë 671.103 raportime për transaksione të ndryshme, ku sipas tyre e bën mjaft të vështirë detektimin e rasteve të dyshimta për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Përveç bankave mësohet se ka pasur raportime të transaksioneve dhe nga noterët. “Fluksin kryesor të raportimit të noterëve e zë Tirana me 91. Zyrat e Këmbimit Valutor kanë raportuar gjithsej 179 transaksione vlerash gjatë vitit 2008, krahasuar me 75 raportime që ishin në 2007. Për vitin 2009 kjo shifër ka arritur 456. Institucionet financiare jo-banka kanë raportuar 213 transaksione në 2008 kundrejt 79 në 2007, gjatë 2009 ka arritur në 226. Ndërsa shoqëritë e ndërtimit kanë raportuar 265 raste të transaksioneve të vlerave”, thekson raporti. Ndërsa problem sipas Doçit, mbetet mos raportimi i doganave për vlerën monetare cash që kalohen përtej kufirit apo anasjelltas, ky përjashtim bën vetëm ajo e Rinasit.
TE DHENAT E RAPORTIT
Gjatë 10 mujorit janë dërguar në SHISH 70 raste të dyshuara për pastrim dhe financim terrorizmi
Rastet e referuara si të kundraligjshme
Viti 2009- Në Prokurori 59; Në polici 176
Viti 2008-Në Prokurori 26; Në polici 46
Tetë raste janë dërguar për procedim penal në 2008 dhe 6 raste për vitin 2009
Urdhra bllokimi
Viti 2009- 18 raste; viti 2008- 5 raste
Llogari bankare të bllokuar
Viti 2009-36 raste; viti 2008- 45 raste
Para të bllokuara
Viti 2009- 3.149.843 euro; viti 2008- 504.934 euro
Viti 2009- 20.000 usd; viti 2008- 486.046 usd
Viti 2009- 75.285 lekë; viti 2008-952.032 lekë
Bllokuar truall
Viti 2009- 1.060 euro; viti 2008 s’ka
Sekuestruar nga prokuroria e gjykata
2.729.843 euro
2.5 milionë euro të bllokuar pasi janë fituar nga veprimtari kriminale
Raportime të aktivitetit të dyshimtë
Viti 2009-77 raste; Viti 2008-152 raste; Viti-2007- 748 raste
Raportime të transaksioneve të vlerave nga subjektet raportuese
Viti 2009-617.000 transaksione; viti 2008- 321.531 transaksione
Masat administrative, gjobat:
Viti 2009-24.600.000 lekë; Viti 2008-23.690.000 lekë