E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesa e gjyqtarëve, Kushtetuesja: Reduktim rolit të kancelarit

TIRANË- Gjykata Kushtetuese është shprehur sot për ankimimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve lidhur me ligjin e debatuar "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor", miratuar muaj më parë. Pas miratimit, kundër tij u shprehën njëzëri gjyqtarët të cilët depozituan edhe ankesën e tyre në këtë gjykatë.
Sipas vendimit të dhënë, Kushtetuesja ka reduktuar disa kompetenca të kancelarit, të cilat i jepeshin nga ky ligj për emërimin dhe shkarkimin e personelit në gjykata, që sipas gjyqtarëve, binin ndesh me Kushtetutën dhe cenonin pavarësinë e gjyqësorit.
Por nuk arriti të vendosë asgjë, nëse kancelari duhet të emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësië, nen ky, po aq i kontestuar nga Shoqata e Gjyqtarëve.
"Gjykata vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të shprehjes në nenin 38, shkronja "a" të ligjit nr.9877: "a) emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës"- thuhet në vendimin e sotëm, që do të thotë se kancelari nuk ka më të drejtë të pushojë personel.
Ndërkohë, me shumicë votash, Kushtetuesja rrëzoi kërkesën lidhur me pretendimin e Shoqatës së Gjyqtarëve për jokushtetutshmërinë e mbikëqyrjes së procesit të organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkrimit të përcjelljes e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar.
Pikën e kundërshtuar me forcë nga Shoqata për emërimin dhe shkarkimin e kancelarit nga Ministri i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj. "Për rrjedhojë, Gjykata, lidhur me pretendimin për jokushtetushmërinë e këtij neni të ligjit objekt shqyrtimi, vendosi të refuzojë kërkesën"-thuhet në vendim.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›