E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesat ; Pacientët nuk kanë më besim tek Urdhri i Mjekut

Abazaj: Reformimi i sistemit shëndetësor, rruga e vetme për daljen nga kriza e besimit mjek-pacient

Pacientët nuk i drejtojnë më ankesat e tyre tek Urdhri i Mjekut. Si i vetmi institucion ku çdo qytetar mund të ankohet ndaj bluzave të bardha, duket se nuk mbron interesin e pacientëve por atë të mjekëve. Për këtë drejtues të Urdhrit të Mjekut shprehen se pacientët kanë humbur besimin dhe se ka rënie të ankesave ndaj mjekëve.

UM

Prej vitesh me radhë, Urdhri i Mjekut mbetet si e vetmja zyrë ku mund të dorëzohet një ankesë ndaj mjekëve. Për arsye të ndryshme dihet që pjesën më të madhe të ankesave e zënë mitmarrja dhe mjekimi i gabuar. Ndërkohë që në këto dy vitet e fundit me gjithë ankesat e herëpashershme të pacientëve, asnjë mjek nuk është ndëshkuar nga ana e Urdhrit të Mjekut.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Shqiptar, Din Abazaj, gjatë prezantimit të raportit "Kriza e besimit dhe dhuna kundër mjekëve" në mjediset e hotel “Tirana International” tha se "reformimi i thellë i sistemit shëndetësor me reforma jo gjysmake, por të studiuara dhe të hartuara me përgjegjësi, largpamësi e profesionalizëm, janë zgjidhja e vetme për daljen nga kriza e besimit mjek-pacient".

Sipas tij, ka një krizë besimi ndaj shërbimeve shëndetësore në tërësi dhe ndaj profesionistëve të këtij sistemi, ku vendin kryesor dhe të rëndësishëm e zënë mjekët.

Ai shtoi se "qëllimi i analizimit dhe prezantimit të këtij raporti është nxjerrja e përgjegjësive për këtë, si dhe të mund të parashikojmë dhe të evidentojmë disa orientime e detyra për t'iu kthyer normalitetit, që në rastin konkret do të ishte zbutja e krizës dhe dalja prej saj".

Si një ndër fushat ku duhet të ndërhyhet për këtë qëllim, zoti Abazaj përmendi fuqizimin e sigurimeve shëndetësore dhe përfshirja në këtë skemë të të gjitha shërbimeve të sistemit. Gjithashtu, ai përmendi dhe përmirësimin dhe plotësimin e boshllëqeve që ekzistojnë në infrastrukturën ligjore dhe kodifikuese në të gjitha sferat e shërbimeve shëndetësore, si dhe krijimin e një sistemi efektiv për formimin profesional pasuniversitar të punonjësve të shëndetësisë, nëpërmjet institucionalizimit të Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor, të detyrueshëm.

"Të gjithë kemi përgjegjësi ligjore dhe mbi të gjitha morale dhe shoqërore për të dhënë kontributin tonë në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë për hartimin e reformave dhe realizimin e tyre", - tha Abazaj, sipas të cilit "duhet të fitojmë respektin e qytetarëve, duke u dhënë atyre respekt dhe përkujdesje dinjitoze".

Urdhri i Mjekut anëtarësohet në Shoqatën Botërore të Mjekësisë

Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë është pranuar anëtar me të drejta të plota në Shoqatën Botërore të Mjekësisë (WMA) në Asamblenë e Përgjithshme, që u mbajt ditët e fundit në Seul të Koresë.

"Në këtë Asamble, përveç Urdhrit të Mjekut Shqiptar, u pranuan dhe urdhrat, apo shoqatat mjekësore, të Angolës, Bregut të Fildishtë, Qipros, Malit, Senegalit, Polonisë dhe Ukrainës", - tha zëdhënësi i shtypit i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekut, dr. Faik Toska.

Sipas tij, Urdhri i Mjekut Shqiptar konsideron se partneriteti me këtë organizëm rrit vlen për të rritur cilësinë e kujdesit njerëzor ndaj pacientëve në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm".

WMA është një shoqatë ndërkombëtare, e cila përfaqëson mjekët nga e gjithë bota. Ajo është krijuar më 17 shtator 1947, kur mjekë nga 27 vende të botës, u mblodhën në Asamblenë e parë të përgjithshme në Paris (Francë).

WMA u krijua për të siguruar pavarësinë e mjekëve dhe për të kërkuar arritjen e standardeve profesionale më të larta të mundshme, të sjelljes etike dhe të kujdesit mjekësor sa më cilësor ndaj pacientëve dhe publikut.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›