E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalon në qeveri buxheti 5 milionë dollarë

Buxheti më i lartë i miratuar ndonjëherë nga qeveritë shqiptare kaloi dje në qeveri. Këshilli i Ministrave miratoi dje buxhetin e vitit 2009 me një vlerë 5 milionë dollarë. Ky buxhet është rreth 1 milion dollarë më i lartë se ai i vitit 2007. Buxheti i vitit 2009 do të garantojnë realizimin e një sërë investimesh publike shumë të rëndësishme. Por duket se pjesa më madhe e këtyre investime do të shkojë për infrastrukturën rrugore, duke përfunduar kështu një rrjet rrugësh në gjithë vendin. Por buxheti 2009 parashikon gjithashtu edhe rritjen e pagave dhe pensioneve, të cilët pritet që në datën 1 maj pensionet të rriten me 10 dhe 20 për qind. Po kështu parashikon edhe rritje të pagave të mësuesve, mjekëve dhe infermierëve. Por pjesa e luanit do të shkojë për investime publike. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se ky buxhet i garanton vendit investimet publike. "Buxheti i shtetit për vitin 2009 do t’i garantojë Shqipërisë investimet më të mëdha publike, duke i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer ndërtimit të infrastrukturës rrugore të vendit". Kryeministri Berisha prezantoi buxhetin prej 5 miliardë dollarësh për vitin 2009, duke nënvizuar sektorët më të rëndësishëm ku do të përqendrohet realizimi i tij. "Ky buxhet do të përqendrohet edhe në investime të tjera të mëdha, si në ujësjellës dhe në kanalizime, ndërtimin e shkollave dhe spitaleve", - është shprehur Kryeministri. Duke theksuar se buxheti 2009 i jep mundësi të mëdha vendit, Kryeministri u shpreh se "ai realizon pikë për pikë të gjitha premtimet e qeverisë". Me buxhetin 2009 qeveria “Berisha” plotëson premtimet që i ka bërë popullit në 2005 për shtimin e investimeve, rritjen e pagave, pensioneve dhe përmirësimin e infrastrukturës. "Viti i katërt i këtij mandati do ta gjejë rrjetin rrugor të vendit tërësisht të ndërtuar, ose në ndërtim e sipër", - tha Kryeministri Berisha dje në mbledhjen e qeverisë.

Ndarja e buxhetit sipas ministrive dhe institucioneve

Ashtu si në buxhetet paraardhëse, fondet janë përqendruar në projekte madhore dhe prioritete kryesore. Infrastruktura, arsimi, shëndetësia, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja e fondeve për institucionet e drejtësisë janë disa nga detajet që bëhen të ditura paraprakisht nga ky projekt. Rritje fondesh të konsiderueshme kanë përfituar investimet publike, arsimi dhe shëndetësia. Ministrisë së Arsimit për vitin 2009 i shtohen përkatësisht 1 miliard lekë për ndërtim shkollash dhe pajisjen me mjete të shkollave ekzistuese. Ministrisë së Shëndetësisë do t’i shtohen 100 milionë lekë për shërbimin parësor dhe 100 milionë lekë të tjera për medikamentet e rimbursueshme. Projektbuxheti i vitit 2009 pritet të vijë brenda 2 javëve në Kuvend për t’u miratuar, pasi të kalojë në qeveri.

Shpenzimet

Në krahasim me vitet e kaluara, institucionet kanë përfituar më shumë fonde. Shtesat për vitin e ardhshëm janë të konsiderueshme, edhe duke pasur parasysh faktin se do të përdoren për rritje pagash, si dhe blerje materialesh për të rritur efektivitetin e këtyre institucioneve. Prokuroria do të përfitojë vitin e ardhshëm 120 milionë lekë të reja shtesë. Nga këto para, 40 milionë lekë do të përdoren nga prokuroria për shpenzime të tilla si shërbime kompjuterike, karburant, përkthime, trajnime, ndërsa 80 milionë lekë do të përdoren për ndërtimin e godinës së re në qytetin e Korçës. Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për vitin 2009 i shtohen 21 milionë lekë për mirëmbajtjen e programit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe 39 milionë lekë për projektin e ndërtimit të gjykatës në Korçë. Gjykata Kushtetuese për vitin 2009 do të përfitojë shtesë 2 milionë lekë për blerje pajisjesh. Këshilli i Lartë të Drejtësisë për vitin 2009 do të përfitojë 4 milionë lekë shtesë, të cilat do të përdoren për transport dhe dieta. Fonde shtesë do të përfitojë edhe Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive, të citit do t’i shtohen 1 milion lekë të reja për kancelari dhe 1 milion lekë të tjera për blerje pajisjesh kompjuterike për zyrat. Fonde shtesë për dieta dhe shërbime transporti do të përfitojnë edhe Avokati i Prokurimeve me 1 milion lekë dhe Avokati i Popullit me 2 milionë lekë të reja. Jashtë kësaj liste nuk ka mbetur as Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili do të përfitojë 30 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit ARIES. KLSH-ja do të ketë 4 milionë lekë shtesë për shërbime dhe mirëmbajtje të zyrave. Shtesë fondesh do të ketë edhe Ministria e Drejtësisë, së cilës i shtohen 200 milionë lekë për të investuar në shërbimin e zyrës së pasurive të paluajtshme. Ministrisë së Brendshme i shtohen përkatësisht në programin “Policia e Shtetit”, shërbimet mbështetëse për vitin 2009, 1 miliard lekë. Një shtesë prej 300 milionë lekësh do të përdoren për shpenzimet e tjera nga kjo ministri. Njëkohësisht është parashikuar një fond për trajtimin e familjeve të policëve të plagosur apo të vrarë.

Disa nga rrugët që do të përfundojnë në 2009:

- Rruga Durrës-Morinë;

- Përfundimi i rrugës së bregut;

- Autostrada Levan-Vlorë;

- Avancimi i punimeve në rrugën Levan-Tepelenë;

- Avancimi i punimeve të rrugës Konispol-Sarandë;

- Fillimi i punimeve të autostradës Qafë Plloçë-Qukës;

- Përfundimi i punimeve të autostradës me 4 korsi Milot-Fushë Krujë, si pjesë e aksit Durrës-Morinë;

- Fillimi i punimeve në rrugën Shkodër-Hani i Hotit;

- Fillimi i punimeve në rrugën Bogë-Theth;

- Vazhdimi i punimeve në rrugën e Arbrit, në segmentin Bulqizë-Klos;

- Përfundimi i punimeve për rrugët Stërblevë-Peshkopi, Peshkopi-Kala e Dodës, Kukës-Kala e Dodës, Krumë-Kukës;

- Përfundimi i punimeve në rrugën Korçë-Prespë;

- Vazhdimi i punimeve në rrugën Elbasan-Gjinar;

- Ndërtimi i by-pass-it të Durrësit;

- Segmenti Shkëmbi i Kavajës-Rrogozhinë;

- Fillimi i punimeve të 11 rrugëve në 11 qarqe të vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›