Ankesat, Subashi: Kolegji Zgjedhor shkeli ligjin elektoral
TIRANË- Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka deklaruar sot se Kolegji Zgjedhor ka shkelur ligjin, duke mos gjetur të drejtën në rastet e animimeve, atë që sipas saj është misioni parësor i tij.
Gjatë një prononcimi televiziv, Deshira Subashi ka thënë se kërkesa për rinumërim votash në qendrat e konstatuar si problematike është një e drejtë që e jep Kodi Zgjedhor.
"Gjykata nuk e bëri dhe kjo përbën për mua një shkelje të hapur të ligjit. Natyrisht unë nuk komentoj vendimin e gjykatës, por komentoj të drejtën time që është shkelur hapur ligji në të drejtën që unë kisha për të kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e disa votave, e disa qendrave votimi për të cilat unë kisha një objeksion. Objeksioni im ishte që të arrinim një standard që zgjedhjet të mos kontestoheshin. Në vetvete kjo dispozitë nuk ndryshon rezultatin zgjedhor, por është një hapësirë për të hetuar" ka thënë Subashi.
Pas shqyrtimit të ankesave të subjekteve, Kolegji Zgjedhor vulosi mandatin e nëntë të socialistëve në Fier, duke rrëzuar kështu KQZ-në, ndërkohë që hodhi poshtë kërkesat e PS-së për rinumërim të votave në Tiranë, Berat dhe në Shkodër, duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.