E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesat për faturat, OSSH kontroll faturistëve

Faturistët do të kontrollohen për cilësinë e punës që ata kryejnë. Pas ankesave të shumta të qytetarëve për faturistët, drejtuesit e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OSSH) kanë vendosur që faturistët të jenë objekt kontrolli gjatë muajve në vijim. 

Fabiola Çela

Sipas drejtorit të Shitjes në OSSH-së, Ilirjan Shkëmbi, janë ngritur grupe kontrolli që do të kenë në mbikëqyrje edhe vetë punonjësit e OSSH-së. “Do të verifikohen dhe do të kontrollohen, edhe vetë punonjësit tanë, në kuadër të transparencës me konsumatorët, por edhe në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve me ta”, tha Shkëmbi. Gjatë aksionit të djeshëm janë kontrolluar rreth 10 punonjës të OSSH-së, mes tyre edhe punonjës të shërbimit të kontrollit të energjisë elektrike në zonën e Kamzës, por edhe punonjës të divizionit të shpërndarjes, ku nuk janë vënë re probleme. “Në vijim do të vazhdojmë me punonjësit e tjerë, fillimisht sipas një përzgjedhjeje. Kjo është një nismë që nuk mbaron këtu, por do të zgjasë pak kohë”, ka thënë ai.
Arkëtimet
Përmirësimi i nivelit të arkëtimeve është një ndër objektivat më të rëndësishme që duhet të arrijë OSSH-ja. Një gjë e tillë është kërkuar edhe nga ndërkombëtarët. Lidhur me këtë drejtues të drejtorisë së Tiranës theksuan se objektivat deri tani janë plotësuar, por deri në fund të vitit do të ketë më shumë përmirësime të punës. “Muajin që shkoi ne e mbyllëm me 89.15 për qind nivelin e arkëtimeve për konsumatorët familjarë dhe 98.5 për qind për konsumatorët privatë, ndërsa niveli i humbjeve është 25 për qind. Treguesit e gjashtëmujorit të dytë do të jenë më të shtrënguar. Ne kemi kusht që humbjet të jenë në nivelin 23 për qind dhe niveli i arkëtimit në 90 për qind për konsumatorët familjarë, ndërsa te konsumatorët privatë ky tregues duhet të jetë 98 për qind”, tha Sulejman Lami, drejtor i drejtorisë zonale të Tiranës. Ministria e Ekonomisë ka hapur tashmë tenderin ndërkombëtar për privatizimin e OSSH-së. Katër kompani kanë shprehur interes për të blerë këtë kompani. Procesi i privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes pritet të përfundojë në muajin shtator. Sipas të dhënave zyrtare, nga 6400 punonjës të OSSH-së, 740 janë faturues, sipas të dhënave të vetë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe 3607 janë elektricistë. Numri i teknikëve është 558 punonjës dhe 346 janë me profesion inxhinierë.

Fierza

288.8 metra niveli i ujit në Fierzë

18 metra kub në sekondë prurjet e ujit

16 cm rënia ditore e ujit

171.52 metra niveli i ujit në Koman

10 metër kub në sekondë prurjet anësore

74.14 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës

7 milionë kwh prodhimi

8.3 milionë kwh importi

15.3 milionë kwh konsumi ditor i energjisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›