E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbeturinat e rrezikshme në Fier, Prifti letër KE-së

Ndërtimi i një impianti për sistemimin e mbeturinave të rrezikshme në Fier, paraqet rrezikshmëri për banorët e zonës, ndaj ky projekt duhet të zhvendoset në një vend tjetër. 

 Kjo ka qenë kërkesa e bërë nga deputeti i LSI-së Dritan Prifti, në një letër drejtuar krerëve të Komisionit Evropian. Në letrën drejtuar Aneil Singh zëvendëskreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, H.M. Barosso, President i Komisionit Evropian në Bruksel, dhe Helmuth Lohan, kreu i delegacionit të KE në Tiranë, deputeti Prifti i ka paraqitur të gjitha arsyet pse projekti i ndërtimit të këtij impianti duhet të zhvendoset në një vend tjetër.  “Zbatimi i këtij projekti ka shkelur ligjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Ai ka shkelur Konventën e Aarus mbi Ambientin dhe Kartën Evropiane të autonomisë së Qeverisë Lokale, të cilat të dyja janë ratifikuar nga qeveria jonë në vitin 2001. Këto konventa të rëndësishme evropiane kërkojnë që komuniteti lokal të informohet mbi rrezikun e mbeturinave të hedhura nga projekti që mund të ndikojnë tek ata, por gjithashtu ata duhet të marrin pjesë kur vendoset kryerja e këtyre projekteve”, thuhet në këtë letër.  Sipas Priftit, komuniteti i komunës dhe Bashkia e Fierit janë shumë të prekur nga ky projekt. “Ka pasur një takim zyrtar të paparalajmëruar me disa zyrtarë të qendrës së komunës, por jo me njerëzit e saj. Ka pasur edhe një takim tjetër në godinën e Bashkisë së Fierit. Këshilli i Bashkisë së Fierit pas seancës ka votuar një vendim për ta frenuar zbatimin e këtij projekti dhe për ta zhvendosur atë në një tjetër zonë, larg nga rajonet e banuara dhe ujërat e nëndheshëm që furnizojnë 100 000 njerëz me ujë të pijshëm”, citohet në letër. Por shumë dyshuese është edhe zgjedhja e kompanisë për këtë projekt. “Jam befasuar gjithashtu, kur kam mësuar se kompania e zgjedhur për të zbatuar këtë projekt në Shqipëri, Okoken Palvelu Oy, ka një eksperiencë në projekte ndërkombëtare vetëm 2-vjeçare, qarkullim prej 800 000 eurosh në projekte ndërkombëtare, dhe asnjë eksperiencë me kontrollimin e mbeturinave të arsenikut. Partneri i tyre lokal në Fier është një mik i ngushtë i bashkiakut të Fierit dhe kryetarit të qendrës së komunës, dikush që fiton shumë tenderë si rezultat i këtyre lidhjeve. Shpresoj që kjo zgjedhje e partnerit lokal të mos ketë qenë parakusht për t’i dhënë tenderin pikërisht kësaj kompanie. Shpresoj që e gjithë marrëveshja të mos jetë një skemë korrupsioni, si ato që janë shumë të zakonshme këtu në Shqipëri” ka shkruar në letrën e tij deputeti i LSI-së Prifti. Përballë një situate të tillë ai i ka kërkuar krerëve të KE-së që ta rikonsiderojnë vendimin e tyre për zbatimin e këtij projekti. “Do të jetë më e sigurt dhe e kujdesshme zgjedhja e një vendi tjetër për këtë projekt”, ka theksuar Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›