E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankesat, tarifa që paguan biznesi për tenderët

çdo subjekt duhet të paguajë një shumë të caktuar para se të ankimojë në APP

Pas miratimit me ndryshime të reja, të ligjit “Për prokurimin publik”, sipas të cilit, vendoseshin kushte për ankesat, dalin me vendim qeveria tarifat që duhen paguar. Shumë biznese e kundërshtuar këtë kriter, me faktin se shton kosto të tepërta për një të drejtë që u takon, por Agjencia e Prokurimit Publik mendon se vendosja e tarifave kufizon ankesat e panumërta dhe të kota, që shpeshherë zvarrisin investimin. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, i cili ka hyrë këto ditë në fuqi, “për shqyrtimin e ankesës nga Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), përcaktohet tarifa prej 0.5 për qind e vlerës së fondit limit në procedurën e prokurimit, që ankimohet”.

Vendimi

Sipas pikës 1 të vendimit, ankesa e paraqitur në rrugë elektronike, pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë prokurimi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin e “prokurimit publik”, të ndryshuar, duhet të përmbajë dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse. Përjashtimisht, kur legjislacioni në fuqi parashikon një mjet tjetër komunikimi, ankesa e paraqitur në KPP shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse në numër të llogarisë të Komisionit të Prokurimit Publik. “Pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit, kur, në fund të procesit të ankimit, ankesa e tij pranohet”, thuhet në pikën 5 të VKM-së, me nr. 261. Të gjitha të ardhurat nga mbledhja e tarifave shkojnë 100 për qind në buxhetin e shtetit.

Ankesat

Konkretisht, gjatë vitit 2009 janë paraqitur në total 1100 ankesa, nga të cilat, 498 ankesa kanë rezultuar të pavlefshme, për mosrespektim të shkallëve të ankimit, dhe/ose për paraqitje jo sipas formularit standard. Shifrat publikohen nga Agjencia e Prokurimit Publik, ku thuhet se, 27 ankesa kanë rezultuar të pambështetura në ligj, kurse për 67 ankesa është marrë vendim për modifikim të dokumenteve të tenderit dhe për 257 të tjera është dhënë vendim për anulim procedure. Në përfundim të hetimeve administrative, nga kjo drejtori janë vendosur gjoba, si dhe janë propozuar masa ndaj personave përgjegjës në mbi 50 për qind të rasteve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›