Fatmiri, në shoqërinë time ditën e vrasjes
Në seancën e radhës për gjykimin e të pandehurit Lavdërim Tufa, i cili dyshohet për vrasjen e Fatmir Ramës, ose siç njihej ndryshe Miri i Xhikës, akuza ka sjellë për të dëshmuar Flamur Rrapajn. Ish-miku dhe shoku i ngushtë i Ramës, i cili ishte prezent në momentin e ngjarjes, ka dëshmuar dje për atë çka parë e dëgjuar mbrëmjen e 29 marsit 2003. Edhe pse nuk e ka drejtuar gishtin nga i pandehuri, prokuroria e konsideron të rëndësishme dëshminë e tij.
DeklarataRrapaj ka përshkruar qetësisht atë që ai kishte arritur të fiksojë në ato momente. “Atë natë kemi qenë ulur në lokal dhe në një moment dëgjova krisma. Ky moment është i vetmi i mbetur në memorien time, pasi disa nga plumbat u përplasën mbi trupin tim dhe menjëherë humba ndjenjat. E pashë veten të shtruar në spital. Nuk kam parë asnjë person në atë moment dhe nuk mund të akuzoj askënd, për çfarë ka ndodhur më pas. Nuk kam informacion, sepse dhe unë gjithçka çka ndodhur e kam marrë vesh më vonë, pasi mora veten”, deklaroi Rrapaj. Flamur Rrapaj njihet si një nga miqtë më të mirë të Fatmir Ramës dhe një person që shoqërohej shpesh me të. Ai u thirr nga prokuroria në cilësinë e dëshmitarit për të hedhur më shumë dritë mbi detajet e ngjarjes, që ende nuk janë zbardhur nga hetimi dhe konsiderohen si mjaft të komplikuara.
NgjarjaFatmir Rama (Miri i Xhikes) u vra më 29 mars të vitit 2003 në ambientet e “Kartodrom 200”, biznes që ishte në pronësi të tij. Ai ishte në shoqërinë e disa miqve, duke ndjekur ndeshjen Shqipëri-Rusi. Sipas prokurorisë, dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal dhe kanë qëlluar në drejtim të tavolinës ku ndodhej Rama. Ata kanë përfituar nga fakti që të gjithë ishin përqendruar në ndeshjen e Kombëtares dhe nuk e kishin mendjen për atë çfarë bëhej përreth tyre. Vrasësit kanë qëlluar nga dy drejtime të ndryshme, duke kryqëzuar tavolinën e Ramës. Si pasojë e plumbave u vranë në vend Fatmir Rama dhe Julian Dyrishti. Ndërkohë, mbetën të plagosur Kristaq Cami dhe Flamur Rrapaj. Cami vdiq tri ditë më pas në spital, ndërsa Rrapaj fatmirësisht arriti të shpëtonte.
RigjykimiKy është procesi i dytë ndaj Lavdërim Tufës, i akuzuar për vrasjen e Mirit të Xhikes. Në procesin e parë të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në Apel, Tufa është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykata e Lartë i hodhi poshtë këto procese dhe e ktheu sërish për rigjykim në Gjykatën Penale sepse, sipas saj, në procesin e parë ishin shkelur procedurat. Tani që ky proces ka nisur nga e para të gjitha të dhënat, dëshmitë dhe provat po rishqyrtohen për të arritur në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes. Ekzistojnë disa pista hetimore për këtë vrasje. Prokuroria ka arritur të plotësojë me prova dosjen ndaj Lavdërim Tufës, por ende nuk ka arritur të identifikojë personat e tjerë, të implikuar në këtë ngjarje. Nga hetimi ka rezultuar se kanë qenë të paktën katër persona që kanë bashkëpunuar në vrasje dhe dy ekzekutorë të drejtpërdrejtë, nga të cilët është arrestuar vetëm Lavdërim Tufa. Për sa i përket motivit të vrasjes, prokuroria nuk ka arritur ta saktësojë ende. Dy pistat kryesore janë vrasja për konflikte pronësie dhe ajo me pagesë. Policia arriti të gjente rreth 300 metra larg vendit të vrasjes një automatik tip “kallashnikov” dhe një maskë me gjak. Në maskë u gjetën edhe disa fije floku. Pak metra më larg u gjet edhe maska e dytë, në të cilën kishte mbetur pak pështymë tek pjesa e gojës. Këto janë edhe provat kryesore të prokurorisë, në lidhje me vrasjen. Pasi janë analizuar provat ka rezultuar se materialet gjenetike të gjetura përputhen me ADN-në e Lavdërim Tufës.
#