E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankimimet e reja PS con ne KQZ tabelen e rezultateve

Shtohen kërkesat ankimore të Partisë Socialiste për rezultatin e Tiranës. Në ditën kur Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimin e parë të selisë rozë, që kërkonte që kolegji të detyronte KQZ-në të shpallte tabelën përmbledhëse të njësisë pesë, juristët e Partisë Socialiste dorëzuan mbrëmjen e vonë të së mërkurës dy kërkesa të reja ankimore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

E para i përket po njësisë pesë, ose ndryshe KZAZ-së 49 në Tiranë. Në këtë kërkesë të re ankimore për njësinë pesë, PS kërkon shpalljen të pavlefshme të vendimeve të marra nga KQZ për ndryshimin e tavelave të rezultateve, ankimim që pas institucionit më të lartë zgjedhor pritet të ankimohet në kolegj për shkak të pritshmërisë së rrëzimit nga KQZ. Ankimimi i dytë i socialistëve në KQZ, ka të bëjë me tabelën përfundimtare të Tiranës.

Në këtë kërkesë të dytë ankimore partia më e madhe në opozitë kërkon pavlefshmëri të vendimit të datës 23.5.2011, vendim që pas rikonsiderimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar, nxorri në avantazh prej 81 votash kandidatin demokrat Lulzim Basha. PS i kërkon KQZ që tabela përfundimtare e Tiranës të dalë përmes mbledhjes së tabelave të nxjerra nga KZAZ-të dhe jo hartimit nga fillimi prej KQZ. 

Edhe kjo kërkesëpadi pritet t’i shkojë Kolegjit Zgjedhor, por për shkak të detyrimit ligjor PS po konsumon fillimisht ankimimin në KQZ. Së bashku me kërkesën ankimore që Kolegji do të shqyrtoje në datën 3 qershor, po për rezultatin e Tiranës, shkojnë në tre, ankimimet për Tiranën nga ana e Partisë Socialiste, për të cilat verdikti final do të jetë i trupës së Gjykatës së Apelit.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›