E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankimimi, KQZ shtyn shqyrtimin për Beratin

Kërkesat ankimore të tri
partive për Qarkun e Beratit
janë shtyrë nga ana
e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
për shkak të debatit mjaft
të zgjatur për Qarkun e Fierit.
Fillimisht, Komisioni Qendror
parashikoi shqyrtimin e këtyre
kërkesave për dje në orën 14.00,
por ankimimi u shty pa caktuar
një orar konkret pas shqyrtimit
të ankesave për Fierin. Duke
qenë se kur shqyrtimi fillon dhe
nuk mund të lihet në mes deri në
një vendimmarrje, KQZ vendosi
të shtyjë Qarkun e Beratit duke
lënë të hapur shqyrtimin për
Fierin. Sakaq, deri dje në orët e
vona të natës nuk kishte ende një
vendimmarrje për Fierin, ndaj
kërkesat ankimore për Beratin
janë shtyrë për më vonë.
Dje paradite pranë ambienteve
të Komisionit Qendror ishin
të pranishëm dy kandidatë për
deputetë të interesuar për të
ndjekur seancën kur pritej shqyrtimi
i kërkesave ankimore. I pari
mbërriti kryesuesi i listës së PS-së
për këtë qark Erion Braçe, i cili
gjatë gjithë kohës ka diskutuar
me grupin e juristëve të Partisë
Socialiste dhe më vonë mbërriti
kandidati i Partisë Demokratike,
Lefter Maliqi, i cili gjatë paradites
për interes ka ndjekur seancën
kur diskutohej për Qarkun e Durrësit
Ankimimi i dorëzuar nga tri
partitë politike ka në thelb të tij
kërkesën për rivlerësim të fletëve
që janë shpallur të pavlefshme. E
para parti që ankimoi rezultatin
për Qarkun e Beratit është Partia
Republikane, duke kërkuar
rivlerësim të votave të shpallura
të pavlefshme. Më pas, një tjetër
ankimim u dorëzua nga Partia
Socialiste dhe G99. Megjithëse
Partia Socialiste synon një mandat
tjetër në këtë qark dhe nëse
vendimi i KQZ do të jetë pozitiv
dhe deklaratat e selisë rozë janë
optimiste, atëherë ngushtohet
diferenca mes dy forcave kryesore
në vend. Berati është një ndër
qarqet e kontestuar më herët nga
selia rozë dhe këto dy partitë të
tjera. Fillimisht Partia Socialiste
shpresoi se do të arrinte të merrte
mandatin e pestë përmes kutisë
ende të panumëruar. KZAZ përkatëse
e mbledhur me këtë rast
nuk arriti dot të merrte një vendim
konkret për shkak të abstenimit të
përfaqësuesit të PSD. Deklarimi i
KQZ se ligji në këtë rast nuk njeh
abstenim, por vetëm pro ose kundër
bëri që KZAZ të rimblidhej për
të vendosur në hapjen e kutisë së
fundit dhe numërimit të fletëve
të votimit. Në kutinë e fundit,
PS rezultoi të kishte epërsi ndaj
forcave të tjera që garonin, por
jo mjaftueshëm për të zyrtarizuar
deputetin e pestë. Më tej, selia
rozë hodhi dyshime për numrin
e madh të fletëve të pavlefshme,
te të cilat synojnë në një rezultat
pozitiv edhe dy partitë e tjera G99
dhe Partia Republikane, të cilat
kanë një përqindje të konsiderueshme
në këtë qark. Dje, Komisioni
Qendror vendosi bashkimin
e këtyre tri kërkesave meqë ato
kanë të njëjtën objekt dhe diskutimit
të tyre në të njëjtën kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›