E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, KQZ hap kutitë për Qarkun e Fierit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
i dha fund dje
debatit disaditor për sa
i përket nëntë kutive
ende të panumëruara të Qarkut
të Fierit. Me shumicë votash,
Komisioni Qendror shpalli të
pavlefshme vendimmarrjet e
katër komisioneve zonale duke
votuar pro hapjes së kutive. Dy
palët ankimuese, PD dhe PS
shfaqën në fillim të mbledhjes
pretendimet e tyre. Nëse Partia
Socialiste këmbënguli qysh në
fillim për hapjen e kutive, në të
kundërt, PD insistoi më shumë
në hetimin e gjithë këtyre vendimmarrjeve
nga ana e KZAZ.
Sakaq, Komisioni Qendror shqyrtoi
në fillim KZAZ-në numër 18,
duke vendosur hapjen e kutive të
qendrave të votimit, 3006, 3017,
3027, ndërsa në KZAZ numër 19
do numërohen qendrat e votimit
me numër 3116, 3122. Debate të
shuma pati për qendrën e votimit
3052 ku përfaqësuesit juridikë të
Partisë Socialiste deklaruan se
një prej komisionerëve të PD-së
ka kërcënuar me armë komisionerët
e tjerë. Pas kësaj deklarate
pati shkëmbim replikash mes
përfaqësuesve juridikë të palëve,
ndërsa kreu i KQZ-së Ristani kërkoi
prova për këtë deklarim.
Me vendimin e djeshëm të
Komisionit Qendror merr fund
përplasja mes PS-PD-KQZ për
mandatin e 9-të në Fier. PS është
mjaft optimiste se përmes numërimit
të këtyre 9 kutive do të
mund të zyrtarizojë mandatin e
9-të në Fier duke e çuar numrin
e përgjithshëm të deputetëve në
65. Vendimi i djeshëm e shtensionon
mjaft situatën, ndërsa PS
paralajmëroi për ditë më radhë
se nuk do të njihte zgjedhjet në
rast se nuk hapeshin kutitë për
të marrë mandatin e 9-të duke
lënë të hapur njëkohësisht edhe
mundësinë e protestave popullore.
Partia Socialiste dhe Partia
Demokratike përmes kërkesave
të tyre ankimore kundërshtuan
vendimet për tabelat e rezultateve
zgjedhore në disa KZAZ të Qarkut
të Fierit. Kërkesa ankimore e
PS-së, e depozituar më herët se
ajo e PD në KQZ, kundërshtonte
rezultatet zgjedhore në katër
KZAZ të këtij qarku, KZAZ më
numër 18, 19, 20 dhe 22, duke
u shprehur për rinumërim të 9
kutive të votimit. Kurse ankimimi
i paraqitur nga PD në mbledhjen
e djeshme të komisionit kundërshton
tabelën e rezultateve
përmbledhëse të KZAZ-së numër
19 dhe 20 në Qarkun Fier, duke
kërkuar rivlerësim dhe rinumërim
të votave.
Sipas rezultateve paraprake të
KQZ-së, në zgjedhjet e 28 qershorit
në Qarkun e Fierit koalicioni i
djathtë "Aleanca e Ndryshimit"
fitoi 7 mandate, koalicioni i majtë
"Bashkimi për ndryshim" 8 mandate
dhe koalicioni "Aleanca Socialiste
për Integrim" 1 mandat.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
një ditë më parë, vendosi bashkimin
e dy kërkesave ankimore të
PD dhe PS për KZAZ 19 dhe KZAZ
20. Dorëzimi i ankimimit numër
25 i Partisë Demokratike bëri që
vendimi për fatin e kutive të Fierit
të shtyhej edhe 24 orë. Përplasja
e ankimimit të PD-së dhe asaj
të PS-së, solli përplasje në Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve
derisa përfundimisht u vendos
me 4 vota ‘pro‘ dhe 3 ‘kundër‘
që dy kërkesat ankimuese të dy
kampeve më të mëdha politike
të bashkoheshin dhe mbledhja të
shtyhej pasditen e të shtunës. Pak
minuta përpara fillimit të mbledhjes
së KQZ-së ditën e premte
ku do të diskutoheshin kutitë e
Qarkut Fier, shefi i diplomacisë
amerikane në Tiranë, John Withers
është takuar me kryetarin
e KQZ-së, Arben Ristani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›