E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, defekti në printer, zvarrit nxjerrjen e certifikatave

Një problem i printerit kompjuterit tek zyra e dhënies së certifikatave ka sjellë probleme të mëdha në këtë zyrë në qytetin e Vlorës. Radhë të gjata por edhe probleme midis të priturve aq sa sot është dashur edhe ndërhyrja e forcave të rendit për të vendosur rregull. Nga ana e institucionit të prefekturës bëhet me dije se shkak i gjithë kësaj rrëmuje është prishja e printerit si pasojë e lagështirës në këto zyra. Kjo gjendje ka disa ditë por çdo ditë që kalon e vështirëson edhe më shumë situatën sepse për çdo ditë e më shumë po rriten kërkesat për marrje certifikate. Kjo sepse po vijnë dhe qindra emigrantë që u duhen këto certifikata atje ku punojnë dhe jetojnë. Janë më së shumti këta që shkojnë qysh në orët e para të ditës dhe zënë radhë në sportelet e këtyre zyrave dhe presin derisa të marrin një certifikatë. Mirëpo prishja e printerit ka shtuar më shumë radhën dhe ndërkohë që ka sjellë edhe përplasje midis të priturve në radhe dhe punonjëseve të këtyre zyrave. Dje, pak përpara mesditës radhët ishin shumë të gjata dhe punonjëset e këtyre zyrave kanë qenë të detyruara të kërkojnë ndihmën e forcave të rendit për të mbajtur rregull dhe për të punuar të qeta. Ardhja e këtyre forcave ka bërë që të vendoset rregulli dhe të vazhdojë shpërndarja e certifikatave. Duke u interesuar në institucionin e prefektit të qarkut mëson se gjithçka ka ardhur pas lagështirës së madhe që ka kjo zyrë dhe në këtë kuadër institucioni i prefektit i bën thirrje bashkisë së qytetit për të gjetur një ambient zyre më të përshtatshme për të vendosur këto zyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›