E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankimimi i PS, Lleshi: Presim përgjigje nga MB, Gjonçaj: Vendosni një afat

TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli të dielën në mbrëmje rinumërimin e të gjitha kutive të votimit për qarkun Lezhë, ndërsa sot ky proces pritet të nisë për qarkun e Shkodrës.

Në fillim të mbledhjes së sotme, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi bëri të ditur se hetimi administrativ për kërkesën ankimore të PS-së për qarkun e Lezhës është ndërprerë, për shkak se Ministria e Brendshme nuk i është përgjigjur kërkesës së KQZ-së për listat e votimit.

“Në funksion të thellimit të hetimit administrativ, KQZ i është referuar Ministrisë së Brendshme për listat e votimit për 6 qendra votimi të qarkut Lezhë, kërkesë e PS-së. Do ta ndërpresim hetimin, derisa të marrim përgjigje nga Ministria e Brendshme.”- deklaroi Lleshi.

Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj kërkoi që Komisioni t’i vendosë një afat Ministrisë së Brendshme për marrjen e informacionit në nevojshëm.

“Kjo çështje duhet të ketë disa afate që ju duhet ti vendosni. Çështjet ankimore duhet të përfundojnë së shqyrtuari brenda një afati 10 ditor. Rikontaktoni me personat përgjegjës në Ministrinë e Brendshme dhe ti lini një afat. Për ne një afat 24 orë është i mundshëm dhe i pranueshëm për një çështje të tillë. Ministria e ka detyrimin që t’i paraqesë KQZ-së provat e asaj vjedhjeje në Mamurras”- deklaroi Gjonçaj.

Mbrëmjen e vonë të së dielës KQZ mbylli rinumërimi i 248 kutive të Lezhës, ku u konstatua se koalicioni i djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", ruajti mandatin e katërt me një diferencë prej rreth 800 votash kundrejt koalicionit të majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane", ndërsa si subjekt zgjedhor Partia Demokratike është 600 vota para Partisë Socialiste.

Ndërkohë, sot KQZ pritet të nisë rinumërimin e 417 kutive të qarkut Shkodër.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera KQZ mbyll rinumërimin për Qarkun e Lezhës, nuk ndryshon ndarja e mandateve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›