Ankohen fermerët: 'Nuk kemi ku të shesim prodhimet'
ELBASAN / Nuk ka treg shumice fruta-perimesh. Flet specialisti i bujqësisë: "Nuk kemi ankesa për stoqe".
ELBASAN - Fermerët elbasanas ankohen se nuk kanë treg të sigurt për prodhimet e tyre. Në një vëzhgim të bërë në zonat fushore përreth Elbasanit, mësuam se fermerët hasin në mjaft probleme, duke filluar qysh nga farërat jocilësore dhe pesticidet, por ajo që i shqetëson më shumë ka lidhje me sigurimin e tregut. Burbuqe Bezhani, një prej tyre, tregon se në dorën e dytë, në serën e saj ka mbjellë bizele, pasi nuk ka asnjë treg të sigurt dhe fara kushton lirë e nuk ka kosto të tjera shtesë. "Në dorën e parë kisha mbjellë domate, ndërsa tani vendosa bizele, pasi nuk kam besim se do të gjeja treg, nëse do të mbillja tranguj. Ne nuk kemi asgjë të sigurt. I shesim perimet tona në rrugë, në sheshe, ku të mundim.
Është mjaft e vështirë që të marrim ndonjë fitim. Kur dalin prodhimet, çmimi bie". Këtë fakt e kanë mbështetur edhe fermerë të tjerë të Kuqanit në komunën Shirgjan, rreth 5 km larg Elbasanit. Në këtë zonë shfrytëzohen shumë serat dhe, për fermerët, tregu është mjaft i rëndësishëm. Gëzim Mici ka vendosur të ndërtojë sera, pasi, sipas tij, toka është më e paktë dhe afërsia me qytetin janë faktorë që i bëjnë më me leverdi prodhimet në sera. "Nuk ka rregull. Ne kërkojmë politika bujqësore. Ne nuk kemi treg. Është një treg çka, andej nga rruga e metalurgjisë.
Në shumicën e rasteve shesim në rrugë, para tregut. Është shumë keq", - thotë ai. Të gjithë pjesëtarët e familjes i shërbejnë bujqësisë dhe në çdo cep të fermës sheh prodhime të ndryshme. Ata e vlerësojnë shumë tokën, megjithëse e kanë të paktë. Sipas tyre, Elbasani, me prodhime të mëdha fushore, duhet të kishte një treg të madh shumice të fruta-perimeve. Po sipas tyre, Lushnja e ka zgjidhur shumë mirë dhe këtë gjë duhet të bëjë edhe Elbasani. Ato që kultivohen më tepër në zonat përreth Elbasanit janë perimet e shumëllojshme, por edhe vreshtat e frutikultura.
***
Ndërkohë, i pyetur lidhur me situatën e prodhimit vendas në Elbasan, specialisti i bujqësisë, Neshat Sadiku, thotë se nuk ka ankimime për mallra stok, megjithëse pranon se Elbasanit i mungon një treg i madh fruta-perimesh. "Nuk ka reklamime nga fermerë të ndryshëm për mostregtim të perimeve dhe të frutave. Këtë vit perimet dhe frutat po tregtohen me një çmim më të lirë se një vit më parë.
Ka filluar mbulimi para disa kohësh me pjeshkë, me mollë vendi dhe është ulur ndjeshëm furnizimi i tregut nga importi dhe, pothuajse në këtë periudhë nuk ka fare produkte, qoftë të perimeve, qoftë edhe të pemëve frutore që vijnë nga importi. Kemi një rritje të konsiderueshme të prodhimit vendas dhe mbulimi është mjaft i kënaqshëm". Ndërkohë, mbi mbështetjen që i jep drejtoria e bujqësisë, Sadiku thotë se edhe në këtë drejtim specialistët kanë luajtur rolin e tyre në këshillimin e fermerëve.
"U kemi rekomanduar llojet e kulturave që duhet të mbjellin dhe farërat që janë të mira, me qëllim që edhe tregu të furnizohet ritmikisht dhe vetë fermerët të ketë fitime. Ne nuk kemi pasur ankesa për këto produkte që tregtojnë. Nuk ka stoqe të grumbulluara dhe ky është një tregues i mirë. Meqenëse në rrethin e Elbasanit nuk ka një treg shumice fruta-perimesh, edhe pse ka shumë zona fushore me prodhime, ka disa zona që i drejtohen Lushnjës". Elbasani kultivon pothuajse të gjitha fruta-perimet, ndërsa mësohet se tokë djerrë mbeten vetëm 700 hektarë, kryesisht në zona mbi ujë.