E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi, diskutim vetëm për rendin e miratuar nga AKS

Ndryshimet në statutin e partisë nuk do të mund të bëhen në këtë kongres. Vetë statuti nuk e lejon një gjë të tillë


Më 29 gusht do të diskutohet vetëm qëndrimi për zgjedhjet dhe do të administrohen kandidaturat

Paketa e ndryshimeve statutore, e paraqitur së fundmi në media nga disa përfaqësues socialistë, nuk do mund të bëhet pjesë e diskutimeve dhe e vendimmarrjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm që Partia Socialiste ka programuar të mbajë më datën 29 gusht. Pavarësisht se grupi nismëtar për realizimin e këtyre ndryshimeve ka nisur të kërkojë edhe firmat e delegatëve në bazë për të bërë të mundur përfshirjen e kësaj çështjeje në agjendën e kongresit, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, për shkak të vetë dokumentit themeltar të funksionimit të kësaj partie, që edhe kërkohet të amendohet në më shumë se 10 nene të tij. Në nenin 21 të tij, ku dhe flitet për kongresin, në pikën e katërt përcaktohet qartë se "Mbledhja dhe rendi i ditës lajmërohen 45 ditë më parë".

Një përcaktim i tillë statusor e bën të detyrueshme për organin më të lartë vendimmarrës të PS-së, që të investohet më datën 29 gusht vetëm në rendin e ditës së miratuar nga Asambleja Kombëtare, gati tre javë më parë. Sipas këtij vendimi, kongresi i thirrur para kohe, do të diskutojë dhe do marrë vendim vetëm lidhur me dy çështje: debatimin dhe miratimin e qëndrimit të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe pika e dytë që pritet të shënojë kulmin e këtij aktiviteti, është ajo e zbatimit të kërkesave të neneve 26 dhe 28 të statutit, që kanë të bëjnë me ndërprerjen e mandatit të kryetarit aktual, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare dhe hapjen e garës për kreun e ri të partisë. Ndërkohë që diskutimi i propozimeve për ndryshimin e statutit do të mund të bëhet vetëm në një kongres të dytë, që mund të mblidhet pas zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë.

Për sa i përket pikës së parë, anëtarët e këtij forumi do të përfshihen në diskutime mbi ecurinë e procesit zgjedhor të 28 qershorit dhe analizën e rezultatit të munguar të zgjedhjeve. Këtu pritet që të ballafaqohet qëndrimi i linjës zyrtare të miratuar edhe në Asamblenë Kombëtare për mosnjohjen e rezultatit të këtyre zgjedhjeve, me qëndrimin e një grupi anëtarësh të partisë, të njohur tashmë si përkrahësit e Blushit, të cilët i përmbahet idesë se zgjedhjet, pavarësisht defekteve, janë të pranueshme. Në këtë pjesë të diskutimeve pritet që figurat kryesore të partisë të analizojnë shkaqet dhe arsyet pse PS-ja nuk mundi të bëhet forcë qeverisëse.

Po përsa i përket kësaj pike, kongresi do të duhet që të marrë vendimin për miratimin ose jo të vendimit të Asamblesë Kombëtare për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, por duke pranuar nga ana tjetër që institucionet shtetërore, përfshi edhe Kuvendi, të njihen me legjitimitet të cunguar. Nisur nga debatet që kanë shoqëruar këtë periudhë, në këtë mbledhje pritet të ketë dhe propozime edhe më radikale, siç është mosnjohja fare e legjitimitetit të institucioneve që lindin nga këto zgjedhje. Më pas, ky forum vendimmarrës do të përfshihet në debatin për zbatimin e detyrimit statusor për marrjen e përgjegjësive për këtë rezultat zgjedhor dhe për administrimin e kandidaturave për kryetar partie.

Fillimisht pritet të deklarohet ndërprerja e mandatit të kryetarit aktual Edi Rama dhe më pas të hapet konkurrimi për zgjedhjen e kreut të ri. Natyrisht, ky moment pritet të sjellë debate nëse kreu aktual i PS-së, Edi Rama, do të kërkojë që të përfshihet sërish në këtë garë për një mandat të dytë. Kjo për vetë faktin se përfaqësues të grupit kundërshtar brenda kësaj partie, kanë deklaruar në vazhdimësi se rikandidimi i Ramës është i paligjshëm, pavarësisht se statuti nuk ia ndalon një gjë të tillë. Nga ky moment pritet të varet shumë edhe pjesëmarrja në këtë garë e kandidaturave të tjera, siç mund të jenë Arben Malaj apo edhe vetë Ben Blushi, megjithëse ky i fundit deri më tani nuk ka guxuar ta artikulojë hapur nëse ka një synim të tillë apo jo. Zëra brenda këtij grupimi nuk kanë përjashtuar moskandidimin e këtyre dy figurave, në rast se Rama do të vendosë që të garojë sërish për kreun e partisë. Në përfundim të këtij debati, në bazë të statutit, të gjitha kandidaturat që do të preferojnë të marrin pjesë në këtë garë, do të jenë të detyruar të paraqesin para këtij kongresi edhe platformën e tyre për drejtimin e PS-së.

Neni 21

Kongresi i PSSH

Kongresi i Partisë është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë.
Kongresi zgjedhor mblidhet një herë në 4 vjet kur përfundon mandatin e tij. Ai mund të mblidhet jashtë radhe me kërkesë të AK të PSSH, me kërkesë të jo më pak se 1/3 e delegatëve të Kongresit ose 1/3 e anëtarëve të Partisë.
Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret me vendim të Asamblesë Kombëtare të PSSH jo më vonë se 2 muaj nga data e marrjes së vendimit.
Kongresi i Partisë, përveç atij zgjedhor, si rregull mblidhet 1 herë në vit. Mbledhja e Kongresit dhe rendi i ditës lajmërohen 45 ditë më parë.
Para hapjes së punimeve të Kongresit mblidhet Përfaqësia. Përfaqësia zgjedh me votim të fshehtë Kryetarin e saj. Në mbledhjen e Përfaqësisë merr pjesë Sekretari Organizativ i PSSH.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›