Ekzekutohet 55-vjeçari, dyshohet hakmarrje
KRUJË- Një 55-vjeçar është vrarë pasditen e djeshme në mënyrë misterioze në Tapizë të Krujës. Viktima Maliq Topalli është gjendur rreth orës 16.30 nga të afërmit e tij në zonën e njohur si "bregu i lumit". Familjarët, pasi kanë konstatuar vrasjen, kanë njoftuar sallën operative të komisariatit të qytetit të Krujës dhe një i afërm i viktimës që punon në atë sektor ka njoftuar në Drejtorinë e Policisë së qarkut te Durrësit mbi krimin e ndodhur. Mësohet se viktima është qëlluar me arme zjarri në momentet kur nuk ka pasur njeri. Polica po ndjek ndërkohë pistën e vrasjes për motive hakmarrje, pasi i biri i viktimës, disa kohë më parë, kishte kryer një vrasje në fshatin Nikël të rrethit Krujë.
Vrasja ka ndodhur në orët e pasdites në një zonë që realisht krismat e armës mund të dëgjohen në një rreze të madhe, por ka mbetur mister se si nuk është dëgjuar asnjë krismë arme siç edhe ndodh ne raste të tilla. 55 vjecari Topalli ka qenë duke ecur kur është qëlluar dhe nuk ka pasur njeri afër. Policia nuk ka bërë me dije mbi armën që është qëlluar dhe gëzhojat që mund te ketë mbledhur ne vendngjarje. Hetuesit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi kanë bërë kontrollin e zonës si dhe kanë marrë informacion mbi krimin e kryer kanë hedhur idenë e pistës së vrasjes për hakmarrje. Sipas policisë, ky është versioni më i mundshëm pasi i biri i viktimës ka bërë një vrasje disa kohë me parë dhe aktualisht ai po shlyen dënimin. Duke qenë nuk janë dëgjuar krisma në një vend ku ka njerëz dhe banorë, është hedhur hipoteza që arma e përdorur mund të ketë qenë e pajisur me silenciator.
Sipas policisë, i biri i viktimës, Dritani, ka vrarë taksistin Vaid Xhixha dhe per këtë është dënuar. Ngjarja ka ndodhur më 21 shkurt të vitit të kaluar kur Vaid Xhixha ka shkuar për ti kërkuar një borxh prej 30 mijë lekësh që i a kishte dhënë dhe ai në vend që ti kthente paratë e ka vrarë duke e goditur me tullë në pjesën e pasme të kokës si dhe duke e goditur me pas me një hanxhar. Pas vrasjes së bërë, ai ka fshehur kufomën, e cila është gjetur kohë më pas nga policia. Hetuesit janë në kërkim të autorit të mundshëm të vrasjes së djeshme por deri në orët e vona nuk ka pasur asnjë emër të dyshuari konkret.