Ankohen nxënësit, shkollat pa ngrohje
Temperaturat ditët e fundit kanë rënë në nivele shumë të ulëta, duke bërë që kondicionerët, ngrohëset, rezistencat të ndizen në maksimum, për të përballuar situatën termike. Por, jo kudo, ku ka mjete ngrohjeje, ato funksionojnë. Në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme të kryeqytetit, nxënësit dhe mësuesit ankohen se edhe pse ekziston një sistem qendror ngrohjeje me kaldaja, ato nuk janë vendosur në funksionim.
Pa ngrohje
Në listën e marrë nga Bashkia e Tiranës, thuajse të gjitha shkollat dhe kopshtet në vend janë të pajisura me sistem qendror ngrohjeje me kaldajë. Ndërkohë disa kopshte janë të pajisura edhe me kondicionerë. Por realiteti në shumë shkolla është ndryshe. “Nuk kemi ngrohje. Kur jemi në mësim rrimë me xhupa kur bën ftohtë, por fatmirësisht klasat ngrohen nga frymët tona”, – thotë një nxënës në shkollën “Partizani”.
Ndërkohë, në një pjesë të shkollave nëntëvjeçare, kaldajat janë vendosur tashmë në funksionim, duke krijuar në këtë mënyrë një situatë të përshtatshme për mësimdhënie. Sakaq, nga Bashkia e Tiranës bëhet e ditur se është përgjegjësia e Ministrisë së Arsimit për funksionimin e kaldajave, pasi vendosja e tyre është në varësi të bashkisë, por mirëmbajtja është në varësi të Drejtorive Arsimore Rajonale.
Edhe Qyteti Studenti
E njëjta situatë vërehet edhe në Qytetin Studenti, ku me mijëra studentë që strehohen në bujtina, nuk kanë ngrohje, ndonëse sistemet me kaldaja janë vendosur prej kohësh dhe janë riparuar në dyvjeçarin e fundit. “Kaldajat ekzistojnë, por nuk i ndezin. Ne ngrohemi me rezistencat, që i përdorim edhe për të gatuar dhe me batanije”, – na thotë një prej banorëve të këtij qyteti.
Drejtoria e Qytetit Studenti bën të ditur se situata e krijuar është për shkak të mosparashikimit të fondit për mirëmbajtjen e tyre, por kaldajat do të ndizen së shpejti. Aktualisht, duket se shumica e institucioneve arsimore në vendin tonë nuk kanë ngrohje dhe nxënësit detyrohen që ta zhvillojnë mësimin të veshur trashë dhe në pritje të rikthimit në shtëpi.
Temperaturat e ulëta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, sipas Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore, ndërkohë që gjatë javës në vijim do të vërehet vetëm një rritje e vogël e tyre. Gjatë kësaj periudhe, nxënësit dhe studentët do të duhet ta zhvillojnë mësimin e tyre dhe të qëndrojnë përkatësisht në shkolla dhe bujtina të ftohta, edhe pse kushtet për t’u ngrohur ekzistojnë.
Studimi
Vetëm 25% e pacientëve me anoreksi mund të shërohen
Rreth 10 milionë gra e një milion burra në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga anoreksia, që shkaktohet nga gjendja psikike. Megjithëse ky çrregullim vihet re më shumë në vendet perëndimore, edhe njerëzit në vendet në zhvillim vuajnë prej saj.
Pamjet e modeleve në revista janë imazhe që ndikojnë mënyrën se si gratë e vajzat shohin veten e tyre. Duke parë këto imazhe të bukurisë, edhe ato duan të duken elegante. Studimet tregojnë se 80 për qind e vajzave dhe grave amerikane janë të pakënaqura me trupin e tyre. Megjithëse shumë prej tyre nuk preken nga anoreksia. Anoreksia është një sëmundje psikike dhe mund të ketë pasoja vdekjeprurëse. Njerëzit e prekur prej saj mendojnë se janë mbipeshë edhe nëse kjo nuk është e vërtetë. Ata nuk hanë dhe e stërmundojnë trupin me ushtrime fizike. Anoreksia mund të çojë në kequshqim, osteoporozë dhe probleme në zemër. Anoreksia mund ta shtyjë pacientin edhe në vdekje të parakohshme ose vetëvrasje.
Toni Saiber e kuptoi se kishte nevojë për ndihmë kur doli nga gjendja e komës e shkaktuar nga anoreksia. Ajo thotë se kur njeriu fillon të bjerë nga pesha, ai/ajo mbushet me një ndjenjë euforie dhe kjo bën të mos ndalet.
Ekspertët thonë se shkaktarë të anoreksisë janë pasiguria apo mungesa e besimit në vetvete, vështirësitë në marrëdhënie me të tjerët si dhe trysnia kulturore. Mjeku psikiatër, Xhorxh Groves, kujton rastin e një vajze 23-vjeçareje. Ajo ishte e gjatë 1 metër e 79 centimetra dhe peshonte 25 kilogramë e gjysmë. Ajo dukej sikur sapo kishte dalë nga ndonjë kamp përqendrimi dhe prapë këmbëngulte se kishte nevojë të binte nga pesha, pasi i dukej vetja e shëndoshë.
Anoreksia është e vështirë për t’u trajtuar. Ekspertët thonë se vetëm 25 për qind e pacientëve me anoreksi mund të trajtohen suksesshëm, nëse trajtimi fillon në kohë. Mjekja Denise Uilfli pranë Universitetit Uashington në Saint Luis është duke kryer një studim mbi anoreksinë, për të njëjtësuar mënyrat më të efektshme të trajtimit nga ky çrregullim psikik.
“Zëri i Amerikës”
Sy bionikë
Teknologjia për rikthimin e shikimit tek të verbrit
Shkencëtarë në Shtetet e Bashkuara dhe Australi po përdorin pajisje të reja eksperimentale, të quajtura sy bionikë, për të ndihmuar kthimin e shikimit tek të verbrit. Kjo është një teknologji e ngjashme me pajisjet e vendosura në vesh për të ndihmuar dëgjimin. Të dyja këto pajisje nxisin fijet nervore të lidhura me trurin duke i ndihmuar personat të shikojnë e dëgjojnë. Linda Kurfut nga Kalifornia është një prej atyre që janë pajisur me sy bionikë. Ajo mban syze me një kamer të vogël që komunikon me elektrodat e vendosura në sytë e saj të cilat nxisin retinën. Për më shumë se një dekadë ajo ishte plotësisht e verbër si pasojë e një sëmundjeje të trashëguar e quajtur "retinis pigmentosa". Tani ajo shikon si të gjithë njerëzit normalë. Syri bionik i Lindës ka 16 elektroda.
Por pajisjet e reja kanë edhe më shumë. Në Australi, doktor Vivek Çouduri pranë spitalit Princi i Uellsit në Sidnej, po zhvillon një pajisje të ngjashme që vendoset në sipërfaqen e syrit. Ai thotë se tani ndodhet pranë përfundimit të punës dhe së shpejti do të fillojë provat duke e implantuar sytë tek disa pacientë. Teknologjia e përdorur për këtë sy bionik është e ngjashme me atë që përdoret për pajisjet e dëgjimit që vendosen në vesh tek personat që nuk dëgjojnë. Shkencëtarët australianë tregohen optimistë kur thonë se presin që nga pajisja e tyre të verbrit mund të përfitojnë shikimin 100 për qind.
“Zëri i Amerikës”