E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bërja e analizës në privat super e shtrenjtë

08/01/2009  Aparatura e zemrës jashtë funksionit

Rëndohet edhe më shumë gjendja në pavijonin e sëmundjeve të zemrës pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Shkak për shtimin e ndjeshëm të fluksit të pacientëve me komplikacione është bërë dalja jashtë funksionit e aparaturës së koronografisë. Kjo e fundit është dhe aparatura e vetme në spitalet publike që shërben për diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës, veçanërisht te moshat e mëdha, që janë dhe më të prekurat nga këto probleme. Ka më shumë se një javë që ky pavijon, që rri gjithmonë i tejmbushur me pacientë, është boshatisur për shkak të moskryerjes së analizës përkatëse. Pjesa dërrmuese e pacientëve janë detyruar të presin ndërhyrjen e drejtorisë për të bërë ekzaminimin përkatës, teksa rrezikojnë rëndimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Ndonëse kjo aparaturë gjendet edhe në spitalet private, është tepër e vështirë që të merret për shkak të kostos së lartë që ka ky shërbim. Konkretisht në sistemin privat analiza e koronografisë pohohet se kushton rreth 800 euro, shifër kjo tepër e lartë për t’u mbuluar nga buxheti i pacientëve. Ndërkohë në spitalin publik në rastet kur pacienti është i siguruar e përfiton këtë analizë vetëm kundrejt 10 për qind të vlerës reale të çmimit të saj. Kjo pritje e numrit të pacienteve, të cilët qëndrojnë mbi kohën e lejuar të shtrimit në spital, është shkaku i fluksit të urgjencës së kardiologjisë. Drejtuesit e shërbimit pohojnë se ka rreth një javë që kjo aparaturë është jashtë shërbimit për shkak të mungesës së një pjese këmbimi, e cila duhet të vijë nga jashtë prej firmës së prodhimit. Për këtë është lajmëruar dhe drejtoria e QSUT-së, e cila ka premtuar riparimin e saj brenda pak kohësh. Por nuk është ky problemi i vetëm. Burime pranë spitalit bëjnë të ditur se garancia për mirëmbajtjen e koronografisë prej firmës prodhuese ka përfunduar në datën 31 dhjetor, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë për lidhjen e kontratës së re.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›