Gjykatë; Mungesa e avokatëve, vijon shtyrja e gjyqeve
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda vijon shtyrja e gjyqeve për shkak të mungesës së avokatëve. Në tri ditët e para të fillimit të punës në këtë gjykatë, për një pjesë të konsiderueshme avokatësh vazhdojnë pushimet dimërore, duke u bërë shkak për dështimin e seancave të paracaktuara në fundvitin 2008. Një ndër proceset që pati këtë fat dje ka qenë edhe dosja e grupit të të pandehurve të akuzuar për ngjarjen e Qafë-Gjashtës, ku ka mbetur i vrarë një oficer policie dhe të plagosur disa të tjerë. Shkak për shtyrjen e procesit ndaj të pandehurve të Qafë-Gjashtës ka qenë mungesa e disa prej avokatëve, duke shtyrë në këtë mënyrë për të disatën herë nisjen e këtij procesi gjyqësor. Këtë fat patën edhe seancat e tjera të planifikuara për ditën e djeshme dhe po të njëjtin fat kanë pasur pjesa më e madhe e gjyqeve të planifikuara për ditët e para të vitit 2009. Pritet që hyrja në fuqi e ligjit për “Avokatinë” të shënojë edhe penalizimet e para për avokatët që degradojnë një proces gjyqësor, duke e shtyrë pafundësisht. Dhe, në bazë të ligjit të ri, do jenë pikërisht gjyqtarët ata që do propozojnë masa ndëshkuese për avokatët abuzues. Ndërkohë që edhe në Gjykatën e Tiranës ende nuk ka filluar normalisht puna, pasi deri në mesin e muajit janar do vazhdojë mbartja e dosjeve për vitin 2009. Vetëm pas kësaj date do fillojë normalisht zhvillimi i proceseve gjyqësore apo shqyrtimi i kërkesave penale e civile që kanë nisur apo presin të shqyrtohen. Gjithashtu, javën e ardhshme pritet të hidhet edhe shorti për numrin e madh të dosjeve penale dhe civile të depozituara gjatë fundvitit 2008 dhe fillimvitit 2009 deri ditën kur përfundon mbartja e dosjeve.