Kryeqytetasit kryqëzojnë bashkinë për mungesën e gjelbërimit
Mungesë gjelbërimi dhe ndotje në nivele maksimale e kryeqytetit. Në pyetësorin e përvitshëm të drejtuar nga bashkia mbi problematikat që i shqetëson më shumë banorët e Tiranës, edhe këtë vit qytetarët kanë renditur në vend të parë pamjaftueshmërinë e gjelbërimit. Gjithashtu kanë cilësuar si të pakënaqshme situatën e krijuar në Parkun e Liqenit Artificial, aty ku bashkia ka deklaruar se ka kryer disa punime ripërtëritjeje.
Pyetësori
Puna që ka kryer Bashkia e Tiranës përgjatë vitit të kaluar është matur edhe përmes një pyetësori të këtij institucioni drejtuar kryeqytetasve. Në këtë pyetësor të botuar në Librin e Transparencës së Bashkisë së Tiranës, banorët e kryeqytetit kanë “akuzuar” bashkinë se nuk ka bërë aq sa duhet me Liqenin Artificial, në një qytet të betonizuar siç është kthyer Tirana. Kështu, gjatë pyetësorit, kryeqytetasit kanë klikuar më së shumti mungesën e gjelbërimit në Tiranë (347 herë i klikuar). Të gjithë qytetarët janë të mendjes se puna në drejtim të gjelbërimit të qytetit është ende në nivele që lë për të dëshiruar dhe se dita-ditës po rritet ndotja e mjedisit.
Duke iu referuar Parkut të Liqenit Artificial, rreth 51 për qind e qytetarëve mendojnë se gjendja e tij është e keqe, ndërsa 18 për qind e qytetarëve mendojnë se situata është shumë e keqe. Ndër problemet kryesore të parkut, qytetarët evidentojnë trafikun e madh të makinave në këtë zonë. Gjithashtu, referuar po Parkut të Liqenit Artificial, qytetarët janë shprehur se duhet të ketë investim në shtimin e gjelbërimit dhe në stola të reja.
Papastërtia dhe mungesa e stolave për kryeqytetasit është e patolerueshme.
Ndaj, ata kanë kërkuar që të merren edhe një herë në konsideratë punimet që do të kryhen në park në mënyrë që kjo zonë të rigjenerohet. Kështu, rreth 34 për qind e qytetarëve mendojnë se parqet nuk pastrohen siç duhet dhe 31 për qind prej tyre mendojnë se këndet e lojërave nuk mirëmbahen.
Prioritetet
Në një seksion të veçantë të pyetësorit qytetarëve u kërkohet mendimi i tyre për mënyrën se si mund të përmirësohet infrastruktura e parqeve në Tiranë. Pajisja me stola të rinj është ndër prioritetet që kanë kërkuar qytetarët. Por shtimi akoma më shumë i gjelbërimit është një ndër arsyet e frekuentimit më të lartë të këtyre zonave. Më pas, pajisja me stola, element ky i domosdoshëm për pak komoditet në këtë vend. Ndalimi i trafikut është ky një tjetër prioritet. Gjithashtu, mungesa e shërbimit të rojës në park është një element që shton pasiguri gjatë natës dhe frenon qytetarët për ta frekuentuar atë.
Somario
Kryeqytetasit kanë renditur në vend të parë pamjaftueshmërinë e gjelbërimit dhe ndotjen e mjedisit të Tiranës
Mbillen 260 pemë dekorative në rrugën “Ali Demi”
Rreth 260 pemë dekorative të llojit rrap u mbollën të mërkurën nga punëtorët e Ndërmarrjes së Punëtorëve nr. 1 të kryeqytetit në rrugën "Ali Demi" në Tiranë, në kuadër të përmirësimit të cilësisë së mjedisit, një nismë kjo e bashkisë së kryeqytetit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke inspektuar punimet për mbjelljen e pemëve dekorative në rrugën "Ali Demi", tha: “Këtë vit hapet kapitulli i gjelbër për kryeqytetin, duke shtuar hapësirat me gjelbërim”.
Aksioni për mbjelljen e rreth 3000 pemëve dekorative të llojeve të ndryshme, si rrape, bli aromatik, gështenja, magnolia, shkurre dekorative në rrugët kryesore të qytetit filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.
Rezervat drejt fundit, grupet e rralla, pa gjak
Për grupet e rralla të gjakut nuk janë krijuar pothuajse asnjëherë rezervat e mjaftueshme. Pacientët mbartës të këtij grupi, në rast se kanë nevojë për transfuzion, duhet të presin derisa të ketë dhurime, pasi bankat nuk kanë rezerva. Kështu, burime pranë bankave të gjakut pohojnë se rezervat që krijojnë janë më së shumti për të gjitha llojet e grupeve dhe se nuk ka rezerva të veçanta për grupet e rralla të gjakut.
Për të drejtuar një apel për më shumë dhurime Zonja e Parë e vendit, Teuta Topi, ka dhuruar gjak për spitalin e pediatrisë në QSUT. Gjaku i dhuruar do të shkojë si kontribut për fëmijë që vuajnë nga sëmundje të rënda e që kanë nevoja emergjente për gjak. Bashkëshortja e Presidentit të Republikës ka drejtuar apelin e saj ditën e djeshme nga QSUT-ja nisur edhe nga situata problematike e rezervave të këtij elementi thelbësor për spitalet.
Aktualisht, spitalet e vendit vazhdojnë ende të vuajnë nga mungesa për gjak. Rezervat që kanë bankat janë ende shumë larg raportit të domosdoshëm për plotësimin e nevojave. Ndërkohë që edhe sasia e grumbulluar shkon për të sëmurët kronikë si dhe tek të sëmurët me talasemi. Nga ana tjetër, qendra kombëtare e transfuzionit të gjakut synon përmes një strategjie që brenda vitit 2010 të ketë vetëm dhurime vullnetare dhe jo më me pagesë. Kjo nismë ka nisur vitet e fundit, duke u mbështetur shumë edhe nga specialistët e gjakut të cilët pohojnë se gjaku i dhuruar është më i sigurt sesa ai i blerë. Por deri vitin tjetër bankat do të vazhdojnë të pranojnë dhurime me pagesë, kjo, pasi dhurimet vullnetare janë ende në nivele që lënë për të dëshiruar dhe nuk plotësojnë nevojat e spitaleve.
Biznesi, rriten gjobat për mospagimin e taksave
Bashkia e Tiranës ka vendosur afatet për pagesën e detyrimeve vendore për biznesin e vogël për vitin 2008.
Sipas burimeve të bashkisë ''afati i fundit për pagesën e këstit të parë të detyrimeve është data 20 prill, afati për këstin e dytë është data 30 qershor, ndërsa afati për këstin e tretë është data 20 tetor e vitit 2009''.
Sipas të njëjtave burime, ''në rast pagese të plotë brenda afatit të parë, 20 prill, bizneset do të përftojnë 10% ulje të detyrimit fiskal. Në të kundërt, në rast mosrespektimi, biznesi do të gjobitet me vlerën e 25% të vlerës së taksës''.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore njoftojnë se në rast të mosmarrjes së detyrimit tatimor për shkak të mungesës së adresës ose adresës së gabuar, qytetarët janë njoftuar që të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave, duke filluar që nga data 10 prill e këtij viti.