E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen për vota

Gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë nga parti të ndryshme pretendojnë se kanë marrë më shumë vota sesa ato që i ka publikuar KQZ’ja. Ankesat e tyre po i shqyrton PZAP’i. Paneli i gjykatësve do të vendosë të enjten edhe rreth ankesave nga gjashtë subjekte politike. Nga Valmir Klaiqi më 02 shkurt 2011 në ora 08:27

Gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë dhe gjashtë subjekte politike nuk pajtohen me rezultatin final të zgjedhjeve të cilin Komisioni Qendror Zgjedhor e ka publikuar të dielën.

Këta pretendentë për ulëse në Parlamentin e Kosovës besojnë se kanë pasur më shumë vota sesa ato që i ka shpallur KQZ’ja.

Ankesat e reja për procesin zgjedhor që është mbajtur para shtatë javësh kanë shtyrë certifikimin e rezultatit.

Të gjitha këto ankesa kanë përfunduar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili duhet të marrë vendim për to deri të enjten në mbrëmje.

Zyrtari i lartë i PZAP’it, Mulë Desku ka konfirmuar të martën për Express se numri i ankesave të parashtruara në PZAP lidhur me publikimin e rezultateve përfundimtare për të zgjedhjeve të 12 dhjetorit është gjithsejtë 22.

“Gjashtëmbëdhjetë ankesa i kanë paraqitur kandidatët, ndërsa gjashtë ankesa i kanë paraqitur subjektet politike. Natyra e ankesave ka të bëjë me pretendimet e kandidatëve, por dhe të subjekteve politike se kanë më tepër vota sesa ju janë publikuar, për mosndarje të drejtë të vendeve në Parlament, por edhe çështje të tjera”, ka thënë Desku.

Ai tha se PZAP’i do të marrë vendime brenda afatit ligjor prej 72 orëve.
“PZAP’i ankesat do t’i vendosë deri të enjten më 3 shkurt në ora 21:15”, tha Desku.

Pas shqyrtimit të këtyre ankesave dhe publikimit të tyre, të pakënaqurit e kanë edhe një mundësi të fundit – të ankimojnë vendimet e PZAP’it në Gjykatën Supreme, e cila po ashtu do t’i ketë 72 orë në dispozicion për t’i shqyrtuar lëndët në fjalë.

Pas përfundim të këtyre procedurave, KQZ’ja mund të bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Vetëm katër aktakuza

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar të martën për ecurinë e deritashme të lëndëve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit parlamentare.

Më 30 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 133 raste, përmes së cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Na Prokuroria e Shtetit, të gjitha këto lëndë u janë dërguar prokurorive kompetente, me qëllim që aty ku ekzistojnë elementet e veprës penale, të ndërmerren veprimet konform dispozitave ligjore. Nga këto lëndë, 48 janë deponuar në Prokurorinë Komunale në Prishtinë, 26 në Prizren, 14 në Pejë, 19 në Mitrovicë, 7 në Gjilan, 2 në Gjakovë dhe 14 raste në Prokurorinë e Ferizajt.

Gjithashtu, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 58 raste, përmes të cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve të datës 9 janar kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar këtë proces. Nga këto raporte, 10 i janë dërguar Prokurorisë Komunale në Prishtinë, 1 në Prizren, 29 në Mitrovicë dhe 14 raste në Prokurorinë e Pejës.

Ndërkaq, sipas raportit të Prokurorisë së Shtetit, 4 raste janë të paidentifikuara se cilit regjion i përkasin, mirëpo Prokuroria e Shtetit pas informatave për identifikimin e tyre se cilit regjion i takojnë, këto raste do t’ua dërgojë prokurorive kompetente.

“Prokuroria Komunale në Prishtinë, sa u përket lëndëve lidhur me zgjedhjet e datës 12.12.2010 nuk ka përfunduar asnjë rast me akuzime. 15 raste i ka mbyllur për mungesë provash apo se vepra nuk është vepër penale; në dy raste ka kërkuar nga Policia informata për të dhënat personale të të dyshuarve, ngase ato mungojnë në raporte; në një rast ka kërkuar informata plotësuese nga Policia; në 30 raste kanë autorizuar Policinë të ndërmarrë veprime hetimore; në pesë raste prokurorët janë duke i ndërmarrë vetë veprimet hetimore dhe një rast është dërguar në kompetencë të Prokurorisë Komunale në Pejë.

Edhe lëndët lidhur me ankesat për zgjedhjet e 9 janarit janë marrë me prioritet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria Komunale në Gjilan ka hedhur poshtë 4 raporte në mungesë provash apo se vepra nuk konsiderohej vepër penale; në 2 raste ka paraqitur akuzë pranë gjykatës; ndërsa për dy raste janë në pritje të informatave të kërkuara.

Prokuroria Komunale në Pejë, sipas njoftimit, në dy raste ka pushuar procedurën se nuk ka prova apo vepra nuk është vepër penale, ndërsa në të gjitha rastet e tjera ka autorizuar Policinë të ndërmarrë veprime hetimore.
Prokuroria Komunale në Gjakovë është marrë me dy raste dhe ka akuzuar dy persona.

“Prokuroria Komunale në Mitrovicë në të gjitha lëndët ka filluar procedurën dhe ka autorizuar Policinë të ndërmarrë veprime hetimore, ndërsa nga KQZ’ja apo paraqitësit e ankesave në PZAP, ka kërkuar informata për të dhënat personale të personave të dyshuar.

Prokuroria Komunale në Ferizaj ka filluar procedurën në të gjitha lëndët dhe ka autorizuar Policinë të ndërmarrë veprime hetimore”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria Komunale në Prizren në tetë raste nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, në 4 raste prokurorët kanë ndërmarrë vetë veprime hetimore, në 6 raste janë kërkuar informata shtesë nga subjektet politike apo individët paraqitës të ankesave, në 6 raste për veprime hetimore është autorizuar policia dhe në një rast janë kërkuar informata nga Komisioni Komunal Zgjedhor.

Prokuroria e Shtetit po ashtu ka njoftuar se në shumicën e raporteve që ka siguruar nga PZAP’i kanë munguar të dhënat elementare, të dhënat për të dyshuarin dhe kjo ka ndikuar në punën e prokurorëve.

“Fillimisht ka pasur edhe mosmarrëveshje në mes të Policisë, e cila ka vepruar sipas kërkesave të prokurorëve dhe zyrtarëve të KQZ’së, pasi që Policia ka pasur kërkesa nga prokurorët që të merret nga KQZ’ja materiali zgjedhor. Me udhëzimin e dhënë nga Prokuroria e Shtetit, pas bisedës në mes kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi dhe kryetares së KQZ’së, Valdete Daka, kjo situatë është tejkaluar dhe policët në bazë të kërkesës së prokurorëve mund të kenë qasje të shqyrtojnë materialin zgjedhor të çdo vendvotimi në prezencë të personit të autorizuar të KQZ’së”, thuhet në fund të kumtesës së Prokurorisë së Shtetit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›