E Diel, 1 Nëntor 2026

S'ka rritje pagash, por vetëm paradhënie

Nga Express më 01 shkurt 2011 në ora 17:20

(E plotësuar) Mosdalja e pagave me rritje gjatë ditës së martë i ka shtyrë drejtuesit e BSPK-së që të diskutojnë këtë çështje disa orë me drejtuesit e Qeverisë së Kosovës, e cila si duket nuk do të jetë në gjendje të ekzekutojë plotësisht vendimin e saj për rritje.

Në Qeverinë e Kosovës, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi së bashku me përfaqësuesit e sindikatave të tjera të punëtoreve janë takuar për disa orë me kryeministrin në largim, Hashim Thaçi.

Pas takimit në një konferencë për media ka folur vetëm zëvendësministri Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, i cili tha se vendimi i 6 janarit për rritje të pagave do të jetë në fuqi, por rritja e plotë nuk do të bëhet këtë muaj.

“Në shumën të cilin do të derdhim në llogaritë individuale nuk paraqet pagën e plotë konform vendimit të Qeverisë të marrë më 6 janar 2011, por është paradhënie e ritheksoj është paradhënie, e cila do të plotësohet në mënyrë retroaktive me rastin e aprovimit të Ligjit të Buxhetit nga Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hamza, siç transmeton Kosovapress.

Ai nuk ka bërë të ditur për sa euro më shumë do të marrin këtë muaj punonjësit që paguhet nga buxheti i shtetit.

Sidoqoftë Hamza është arsyetuar se mosekzekutim për rritje të pagave ka ardhur si pasojë e procesit të rivotimit në Mitrovicë, proces ky i cili ka shtyrë konstituimin e institucioneve të reja, të cilat do të miratonin buxhetin dhe pagat me rritje.

Ai ka shfaqur shpresën që do të gjejnë mirëkuptim tek të gjithë punëtorët që marrin paga nga buxheti i Kosovës, kurse hodhi poshtë mundësinë e presioneve nga jashtë për mos rritje të pagave.

“Besoj që do të kemi mirëkuptimin e gjithë atyre që marrin paga përmes buxhetit. Ne qëndrojmë në atë se do të realizojmë vendimin tonë plotësisht dhe normalisht jemi të sigurt që gjitha këto do të jenë edhe të harmonizuara plotësisht me institucionet relevante të cilat kanë rol të caktuar në Kosovës, sepse jemi të sigurt që gjithçka është bërë konform rregullave dhe ligjeve në fuqi”, është shprehur Hamza.

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës të marrë me 6 janar të këtij viti, nga ky muaj paga e mësimdhënësve do të duhej të ishte 50 për qind më e madhe se që ka qenë deri në fund të vitit të kaluar, kurse edhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së do të përfitonin nga kjo ngritje prej 50 për qind.

Ndërkaq pjesëtarët nga Policia e Kosovës do të kishin një rritje prej 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, zyrtarët doganorë 30 për qind, punëtorët shëndetësorë 30 për qind dhe zjarrfikësit 30 për qind.

Po ashtu bazuar në premtimet gjatë fushatës së zgjedhjeve të 12 dhjetorit të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, rritje të pagave do të kishin edhe disa sektorë tjerë, si sistemi i drejtësisë, minatorët, etj.

Njoftimi i Qeverisë

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media njofton qytetarët se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave në sektorë të caktuar që paguhen nga Buxheti i Kosovës mbetet në fuqi dhe se i njëjti do të zbatohet në mënyrë retroaktive, pas aprovimit të buxhetit të vitit nga Kuvendi i Kosovës.

“Shuma e paguar në llogaritë individuale është paradhënie për të gjithë punëtorët që ndikohen nga vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe diferenca do të plotësohet pas aprovimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2011”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Në komunikatë sqarohet se vonesa në zbatimin e këtij vendimi vjen si pasojë e zgjatjes së paparashikuar të procesit zgjedhor dhe vonesës së konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Përkundër kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës i siguron të gjithë punëtorët e sektorëve përkatës që kanë përfituar nga rritja e pagave se vendimi për rritje do të realizohet me prioritet dhe në mënyrë retroaktive nga data 1 janar 2011.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›