E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohet Morina

Kosova e Vushtrrisë po kalon nëpër një krizë të thellë. Bardhekaltrit nuk kanë shënuar fitore qe 6 xhiro, duke pësuar 4 humbje dhe duke barazuar 2 herë. Këto rezultate i kanë kushtuar këtij ekipi që të bie në pozitën e fundit të Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, me pikë të njëjta me Vëllaznimin.

Sulmi nuk po arrin assesi ta gjejë rrugën deri te goli, ndërsa edhe mbrojtja nuk është aspak e sigurt. Vendimi i FFK-së për ndeshjen Kosova - Trepça (e regjistruar me rezultat zyrtar 0:3), sigurisht se ka ndikuar në rënien e vushtrriasve, por trajneri Arbnor Morina, zbulon edhe arsye të tjera që kanë ndikuar në rezultatet negative të këtij ekipi.

Është një krizë e kushtëzuar. Dihet se çfarë pune e kemi bërë në përgatitjet para sezonale dhe çfarë rezultate i kemi arritur në fillim të sezonit. Por, vendimi për ndeshjen me Trepçën, dhe fërkimet dhe përzierjet që kanë ndodhur në klub nga disa persona që nuk qojnë peshë të madhe aty, kanë ndikuar në luhatjen psikologjike të lojtarëve. Ishte thyerje psikologjike për lojtarët, kur disa persona flisnin për ndërrime në klub. Të gjithë në qytetin e Vushtrrisë po e dinin se kush janë këta njerëz, theksoi Morina për Express.

Ai është ankuar edhe tek futbollistët e rinj. Sipas tij, këta kushtimisht talentë të rinj, nuk e kanë të qartë se ku po luajnë dhe se cila është përgjegjësia e tyre në ekip, pasi ata nuk janë të rregullt dhe mungojnë shumë në stërvitje, gjë e cila nuk ndodhë me futbollistët me përvojë që luajnë aty.

Një tjetër problem që e përmendi Morina është edhe reparti ofanziv. Në fakt, sulmuesit e këtij ekipi po shënojnë rrallë. Ai pohon se ua ka dhënë rastin të gjithë sulmuesve, por vetëm dy prej tyre që luajnë më shpesh, e kanë shënuar nga një gol në ndeshjet e fundit, statistikë kjo e varfër kur kihet parasysh minutazhi i tyre.

Arbnor Morina ka kontratë me Kosovën deri në fund të sezonit. Ai nuk e ka ndërmend të largohet, por, për të dalë nga kjo krizë, thotë se e ka ndërmend të ulet dhe të bisedojë me zyrtarët e klubit, gjatë pauzës dimërore.

Do të ulemi gjithsesi dhe të bisedojmë për shumë gjëra. Ne kemi marrëveshje që të bashkëpunojmë deri në fund të sezonit, por duhet të ndryshojnë shumë gjëra, nevojitet edhe një organizim më i mirë, vazhdoi ai.

Morina pohon se gjatë këtij sezoni, kishte numër të vogël të futbollistëve në dispozicion. Ai kishte kërkuar përforcime në fillim të sezonit, por ato nuk i kishin arritur.

Kryesia është e vetëdijshme se ekipi ka nevojë për përforcime. Ne gjatë këtij sezoni bile jemi dobësuar, pas largimit të disa futbollistëve. Nuk duhet harruar edhe dëmtimet që na janë bërë nga gjyqtarët, pasi nuk u akorduan 7 penallti të pastra për ne, si dhe lëndimet dhe ndëshkimet me kartonë, tha ish drejtori sportiv i Prishtinës.

Në fund, Morina u shpreh se gjithmonë është në shërbim dhe në krah të klubit. Nëse është nevoja, e marr përgjegjësinë dhe fajin mbi vete, vetëm që ti mbroj futbollistët, klubin dhe qytetin e Vushtrrisë. Tifozët e këtij klubi e meritojnë një ekip të organizuar, përfundoi Arbnor Morina.

Pas 15 xhirosh të zhvilluara në Superligë, Kosova e Vushtrrisë zë pozitën e fundit në tabelë me vetëm 13 pikë të tubuara. Xhiron e ardhshme, vushtrriasit do të përballen me Gjilanin, ndërsa më pas me Trepçën, para pauzës dimërore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›