E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohet Prishtina

Skuadra e hendbollit Prishtina, në konkurrencën e femrave, ka kërkuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës që ndeshja e dytë gjysmëfinale e Kupës së Kosovës ndërmjet Kastriotit dhe Prishtinës të përsëritet, me pretekst se janë dëmtuar nga gjyqtarët dhe delegati i atij takimi.

Ky takim, i zhvilluar të enjten në Ferizaj, qe ndërprerë pas 52 minuta e 38 sekondash, kur rezultati ishte 23:20 për vendasit. Në ato çaste, kryetari i klubit prishtinas, Nehbi Zariqi, e kishte tërhequr skuadrën e tij nga palestra, në shenjë pakënaqësie me vendimet e gjyqtarëve dhe të delegatit të ndeshjes.

“Ndeshja në pjesën e parë ka qenë e mirë, sikurse edhe në të dytën, deri në disa minuta para ndërprerjes. Kemi pasur dominim të plotë në lojë dhe ishim më të mira. Në palestrën e sportit në Ferizaj, semafori nuk ka qenë funksional. Është dashur të shërbehemi me copëza letra në përjashtime, ndërsa për vendasit ka funksionuar përjashtimi dy minuta. Po ashtu, kohëmatësi nuk ka qenë në nivel”, ka thënë anëtarja e Kryesisë së Prishtinës, Vjollca Krasniqi, në një konferencë për media, të mbajtur të premten.

“Përgjegjës janë gjyqtarët dhe delegati për atë që ka ndodhur në fushë. Askujt nuk duhet t’i pengojë puna dhe rezultatet tona. Me guri, është qëlluar gjatë lojës nga shikuesit portierja Shqipe Kërtoku, pastaj hendbollistja Fitore Berisha dhe personat zyrtarë nuk kanë ndërmarrë asgjë”, theksoi ajo.

Ndërsa, kryetari i këtij klubi, Nehbi Zariqi ka thënë se vendimi i tij për ta tërhequr skuadrën nga palestra ka qenë i drejtë. “Nëse nuk ndërmerret diçka në këtë drejtim, atëherë unë do të tërhiqem edhe nga posti i anëtarit të Bordit të Federatës”, tha Zariqi.

Kurse, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka kërkuar deklarata me shkrim nga përfaqësuesi zyrtar i Prishtinës, nga ai i Kastriotit, nga delegati i atij takimi, prej gjyqtarëve të ndeshjes, anëtarit të Kryesisë së Kastriotit dhe nga anëtari i Bordit të FHK-së. Gjyqtarë të atij takimi kanë qenë Afrim Azemi e Eshref Beqiri, kurse vëzhgues Sedat Zhuri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›