Ankohet Rubio: Skam ende lojtarët që dua

Hulian Rubio
Tirana/ Trajneri bën rezymenë e skuadrës së tij në kulimin e merkatos.
“Merkatoja dështake, kam pak futbollistë në dispozicion”
Hulian Rubio Sançez nuk është aspak i kënaqur me merkaton që drejtuesit e klubit të Tiranës kanë bërë deri tani. Ai ankohet se ka shumë pak lojtarë në dispozicion për të përballuar me sukses sezonin e ri futbollistik. Në një intervistë për gazetën, spanjolli ka bërë një rezyme të bardhebluve, duke prekur edhe rinovimin e kontratës së tij me drejtuesit e KF Tirana.
Deri tani janë tre lojtarë në provë, keni ndonjë koment për ata?
Jo ende nuk mund të them gjë. Ata do rrinë këtë javë, do t’i shoh dhe pastaj do të vendos.
Si po shkon merkatoja?
Keq.
Pse?
Sepse nuk po vijnë ata që ne duam realisht. Nuk di se çfarë të them. Unë kam bërë kërkesat e mia, ia kam paraqitur klubi dhe më pas ata flasin për pjesën e financave. Kjo është detyra ime.
Kërkesat janë po të njëjtat, pra doni një mesfushor të djathtë, një organizator dhe një sulmues?
Minimumi, por nuk do më bënte keq edhe një mbrojtës i djathtë, pasi kam vetëm Sinën. Sepse çështja nuk është të rëndojmë klubin, por duhet të rinovojmë ekipi. Kemi shumë pak lojtarë. Kemi një minimum kontingjenti që këshillohet. Ndonëse arrihet te minimali, atëherë mund të bëjmë ndonjë lëvizje. Kjo është normale që të ndodhë, nëse këtu nuk punohet kështu, nuk e di.
Dëshira më e madhe e trajnerit për këtë merkato?
Çdo lojtar që do të ndihmojë ekipin dhe që do të shtonte konkurrencën, dhe ai që do më ndihmonte kur të kem mungesa, apo dëmtime.
Domethënë, kërkoni dublime në çdo pozicion…
Po, por nëse klubi s’ia del ekonomikisht, atëherë duhen katër lojtarë si xhola, që të luajnë në çdo pozicion.
Po emra mund të na thoni?
Jo s’mundem, ndonëse idetë e mia i kam të qarta.
Vazhdon të qëndrojë kusht që të jenë lojtarët nën 24 vjeç?
Po, pasi kjo është mënyra e vetme për të përgatitur një ekip në të ardhmen. Nëse merr elementë në këtë moshë, minimumi i ke për 6-7 vjet. Pas dy vjetësh kur punon në këtë linjë, nuk ke më nevojë që të bësh nga 6-7 blerë në merkato për çdo vit. Kjo është linja që unë synoj. Planet i kam të qarta.
Por çfarë ju pengon?
Ndoshta varet financat dhe mundësitë që ka klubi.
Është folur shumë për largime, çfarë po ndodh?
Lojtarët e dinë shumë mirë dhe më kanë vënë në dijeni për këtë. Mirëpo ato e dinë mendimin tim për secilin, pasi ua kam thënë, të tjerat janë aludime.
Që do të thotë, s’ka largime?
Jo, nuk është kjo, unë me ata kam folur, por unë s’mund t’i hap derën askujt pa marrë të tjerë. Megjithatë unë do t’i tregoj në ndeshje, ose s’i marr në 18-she, ose s’luajnë kurrë.
Keni filluar të mendoni për finalen e Superkupës?
Jo, është shumë herët, kemi ende punë deri atëherë. Ende s’është kompletuar grupi, po flasim ende për përforcime.
Së fundmi duan të dimë diçka më konkrete për kontratën tuaj, a keni firmosur apo jo?
Jo nuk ka firmë, por kjo s’ka rëndësi. Unë me mendje kam firmosur kur erdha nga Spanja. Për mua ajo është kontrata. Ç’rëndësi ka boja, unë po i dëshmoj klubit dhe tifozëve besnikërinë time. Edhe pse s’kaluam eliminatoren, unë do të jem gjithnjë prezent. Jam këtu. Jam profesionit dhe punoj me objektiv të qartë, s’kam ardhur për parà, por për të bërë diçka të mirë.
Testohen Samba dhe Da Silva
Dy lojtarë të tjerë kanë nisur provën me Tiranën. Flasim për dy të huaj, më konkretisht qendërmbrojtësin senegalez Samba dhe sulmuesin brazilian Da Silva. Lojtarët dje kanë mbërritur në ambientet e klubit dhe pasi kanë marrë “OK”-in nga Rubio janë veshur dhe kanë nisur stërvitjen. Mësohet se deri të shtunën ata do të jenë nën vëzhgim nga trajneri, vetëm pasi të zhvillohet edhe miqësorja brenda familjes, ai do të vendosë.
Malazezi Sekuliç, një “pykë” për Vllazninë
Radislav Sekuliç është sulmuesi i ri që do provohet te skuadra e Vllaznisë. Lajmi konfirmohet edhe nga ana e trajnerit të kuqebluve, Shpëtim Duro. Sulmuesi 26-vjeçar ka luajtur së fundmi te skuadra hungareze e Budapest Honvedit, por pa shkëlqyer, aq sa në pjesën e dytë të sezonit kaloi te skuadra e dytë e Honvedit. Sekuliç ka lindur në Podgoricë të Malit të Zi dhe është formuar si futbollist te akademia e Buduçnostit, ku ka luajtur për katër sezone: 2005-2009. Në 2009-2010 ai kaloi te FK Mogren Budva dhe në 2010-2011 në pjesën e parë luajti te Pudong Zobon FC, ndërsa në pjesën e dytë të sezonit te FK Mladost Podgorica. Në verën e shkuar ai arriti të kalojë te Honvedi në Hungari.Zyrtare/ Xhafaj firmos te Teuta: E mbyll këtu
Daniel Xhafaj është një lojtar i Teutës. Lajmi konfirmohet nga vetë lojtari, i cili nuk ka pranuar rinovimin me Skënderbeun e Korçës pas ikjes nga drejtimi i ish-presidentit Agim Zeqo. “Xhafaj është një lojtar cilësor dhe një nuhatës i mirë goli. Mendoj se me atë Teuta do të luajë më lirshëm, pasi sulmuesi është i aftë ta mbajë skuadrën përpara, kjo edhe falë eksperiencës që ka. Ai ka luajtur edhe më herët për ne dhe është i përshtatur me mentalitetin që ka skuadra jonë”, ka pohuar presidenti Hasanbelliu. Sakaq, sulmuesi i kontaktuar nga gazeta ka pohuar se te Teuta do ta mbyllë karrierën. “Jam i kënaqur që firmosa për Teutën, pasi te durrsakët jam ndier më mirë se në cilëndo skuadër ku kam luajtur më përpara. E them me bindje se këtu do ta mbyll edhe karrierën time si futbollist”, ka pohuar Xhafaj.