Konte drejt burgut, nuk ka pakt

Antonio Konte
Është rrëzuar përfundimisht hipoteza e paktit për Antonio Konten dhe Anxhelo Alesion, këtë lajm e ka bërë të ditur prokurori Stefano Palazi. Ky i fundit ka kërkuar një dënim me skualifikim me 15 muaj për trajnerin e Juventusit, në lidhje me hetimin për skandalin e basteve në Itali, 1 vit me akuzën e mosdenoncimit të fakteve dhe tre muaj për përsëritje të këtij veprimi. Të njëjtin dënim Palazi ka kërkuar edhe për Alesion, zëvendëstrajnerin e bardhezinjve. Pasi është rrëzuar hipoteza e paktit, Konte duhet të mbrohet nga akuza e dyfishtë për mosdenoncim të trukimeve të mundshme të ndeshjeve Novara-Siena dhe Albinolefe-Siena, të dyja të zhvilluara në pranverë të vitit 2011. E njëjta kërkesë dënimi është formuluar nga Prokuroria edhe për Anxhelo Alesion, zëvendëstrajnerin e Juventusit, i cili ka përfunduar nën hetim për të njëjtën akuzë. Komisioni Disiplinor u ka dhënë mundësinë avokatëve të Kontes dhe Alesios për mbrojtjen: janë Luixhi Kiapero dhe Antonio De Rensis që do përpiqen të rrëzojnë akuzën. “Zoti prokuror, nuk e kam vlerësuar aspak rrëzimin e paktit. Nuk e prisja. Kishim arritur një marrëveshje dhe ju e dini që nuk bëhej fjalë për pranim të fajit. Nëse ju mendoni tani se Komisioni mund të motivojë fajin tonë nëpërmjet pakteve të bëra, jemi në rrugën e gabuar”. Me këto fjalë, Antonio de Rensis, avokati i Antonio Kontes, i është drejtuar prokurorit federal, Stefano Palazi, në lidhje me hetimin për skandalin e basteve. “Është fjala e një njeriut të vetëm, nuk ka përgjime telefonatash, nuk ka transaksione parash, nuk ka asgjë”.
Juve: Trajner, edhe nëse skualifikohet
Antonio Konte do të vazhdojë të jetë trajneri i Juventusit, edhe nëse do të konfirmohet dënimi me skualifikim prej 15 muajsh, i kërkuar nga prokurori federal, Stefano Palazi, në lidhje me skandalin e basteve. Këtë lajm e ka konfirmuar shoqëria e bardhezinjve, pas rrëzimit të kërkesës për të bërë një pakt nga ana e Komisionit Disiplinor. Ky është një tjetër sinjal i shkatërrimit të marrëdhënieve të Juventusit me Federatën Italiane të Futbollit. Pas mesazhit të presidentit Andrea Anjeli, i cili ka reaguar ashpër ndaj institucionit më të lartë sportiv, vjen edhe vendimi për të konfirmuar Konten.