E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankth te zyrtarët, deklarojnë shpenzimet

Ard Kola

Komisioni i Ekonomisë, deputetët miratojnë me dyshime projektligjin: I paqartë

ARD KOLA

Politikanët deklarojnë gjithnjë se parimi i tyre është lufta ndaj korrupsionit dhe konflikteve të interesit, por kur vjen puna për të dhënë shembull, stepen. Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financave u dha dje shansin anëtarëve deputetë të të dyja kaheve politike të vendosnin për disa ndryshime në projektligjet për deklarimin e pasurisë dhe për parandalimin e konfliktit të interesit.

Në thelb këto risi synojnë forcimin e kontrollit nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe zgjerimin e skemës se çfarë duhet të paraqesin zyrtarët. Deri më sot zyrtarët e shtetit dhe kategoria e caktuar e nëpunësve duhet të deklaronin në ILDKP-në vetëm pasurinë, kurse me atë çfarë propozon ligji, duhet të paraqesin shpenzimet dhe dhuratat, deri në një masë të caktuar.

Neni 4 i ligjit ndryshon, duke i shtuar disa paragrafë, detyrime të zyrtarit ndaj ILDKP-së për të deklaruar disa shpenzime në fusha të ndryshme, nëse e kapërcejnë vleftën totale prej 500 mijë lekësh në vit.

Zyrtarët kanë të drejtë të deklarojnë dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit, biznes privat, i madh apo i vogël, prej nga vijnë ato krijohen dhuratat dhe trajtimet. Nuk deklarohen dhuratat ose trajtimi, kur vlera e tyre është më e vogël se 10 mijë lekë, si dhe kur dy a më shumë dhurata, të dhëna nga i njëjti person, së bashku nuk e kalojnë këtë vlerë, gjatë së njëjtës periudhë deklarimi, thuhet në njërin nga paragrafët e rinj të projektligjit.

Tjetër detyrim lidhet me deklarimin e shpenzimeve me vlerë mbi 500 mijë lekë, i kryer gjatë një viti deklarimi. Po kush janë shpenzimet që duhen deklaruar? Në projektligj janë përcaktuar shpenzime për arsim, mjekim shëndetësor, pushime, aredim, si dhe shpenzime të tjera të këtij lloji, të kryera nga zyrtari. Pikërisht, pjesa shpenzime të tjera të këtij lloji, u pa me dyshim nga ana e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Qartësoni se cilat shpenzime të tjera do të deklarojmë përveç atyre të specifikuara në ligj, pasi do të krijohet amulli, deklaroi deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, kurse n/kryetarja e komisionit, socialistja Mimi Kodheli, kërkoi sqarime lidhur me shumën, nëse është totale apo e ndarë në zëra të ndryshme.

Edhe mazhoranca kishte paqartësi, sidomos në pjesën se, kur në rast se deklarimi nuk bëhet brenda 15 ditësh, zyrtarit i jepet masa e ndëshkimit me pezullim nga puna. Po në rast se këtë shkelje e bën Kryeministri, Presidenti, ministri apo deputeti? Do të shkarkohen? Këto pikëpyetje nuk morën përgjigje të saktë nga specialistët e ILDKP-së, të pranishëm në komision.

Debat pati edhe për aftësinë e ILDKP-së për të kontrolluar vërtetësinë e deklaratave. Specialistët e institucionit deklaruan me bindje se stafet janë gati dhe të plota, por deputeti i PD-së, Flor Mima sugjeroi që kontrollin e verifikimit ta kryejë administrata tatimore, në kuadër të ligjit Për tatimin mbi të ardhurat, pjesë e të cilit është deklarata individuale e të ardhurave për çdo individ.

Vendimi

Kryeministri zyrtarizon masat e reja të kursimeve

Këshilli i Ministrave miratoi dje paketën me kursimet e propozuara nga shefi i Financave në fund të muajit gusht, tashmë të njohura për administratën, pasi u publikuan nga Shqip tre ditë më parë. Zbatimi i planit të kursimeve do të nisë pas datës 7 shtator. Vendimi i qeverisë nuk prek vetëm bllokimin e shpenzimeve operative (përjashto ushqimet dhe ilaçet për institucionet publike), por edhe shpenzimet për telefonat e punonjësve të administratës. Kriza ka hyrë aq thellë në buxhetin e shtetit, sa detyron ministrin të reduktojë kuotat e bisedave telefonike, me të paktën 20 për qind. Ministria e Financave nuk ka kursyer as dietat, shpërblimet, udhëtimet dhe trajnimet.

Ministria e Financave ka bllokuar edhe trajnimet, seminaret apo kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për tu mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet e buxhetit të 2012-ës. E thënë ndryshe, kush kishte bërë plan për seminar jashtë vendit me paret e buxhetit, ta harrojë, pasi Bode e ka anuluar. Shkurtimet prekin shpërblimet për raste gëzimesh dhe hidhërimesh që u akordohet punonjësve të shtetit, si dhe ndalon plotësimin e vendeve vakante në administratë, pra ngrin deri në fund të vitit punësimin në shtet.

Ankth te zyrtarët, deklarojnë shpenzimet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›