Greqia nen mbikqyrje per korrupsionin

Deri në fund të vitit Greqia do të jetë nën mbikqyrje për një tjetër fenomen shqetësues të shoqërisë, lufta kundër korrupsionit. Grupi i Vendeve Kundër Korrupsionit të Këshillit të Europës (GRECO) do të qëndrojë në Greqi deri në fund të muajit dhjetor pasi sipas një raporti të fundit, vendi ka shënuar një dështim të plotë për të luftuar këtë fenomen, në sektorin publik dhe privat dhe për të siguruar transparencë në financimin e partive politike. Në një raport prej 52 faqesh të GRECO, vihet në dukje se Greqia ka zbatuar vetëm një prej 27 rekomandimeve që i ishin bërë dy vjet më parë. Qeveria greke nuk ka shfuqizuar ligjin sipas të cilit ministrat në Greqi nuk dënohen edhe pas largimit të tyre nga funksioni. Gjithashtu nuk ka shfuqizuar ligjin sipas të cilit nuk zbatohet dënimi penal për një anëtar të qeverisë, pasi mund të shkaktojë pasoja tek marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit. Autoritetet greke deklarojnë se heqja e kësaj dispozite kërkon ndryshimin e Kushtetutës, e cila nuk mund të bëhet para vitit 2013.