Kriza, qeveria nis pagesat në valutë
Rezerva e shtetit hap qesen për zjarret pas ankandit të bonove në euro
Dy ankandet e zhvilluara në muajin gusht për emetimin e bonove në valutë po ndihmon qeverinë të menaxhojë sadopak situatën me arkën e buxhetit. Në mungesë të fondeve të nevojshme për shkak të krizës së fortë ekonomike në vend, Ministria e Financave kërkoi nga individët borxh në euro, duke realizuar dy ankande për bono me vlerë 30 milionë euro, por që në fakt siguroi rreth 26 milionë euro, gjithsesi jo keq në kushtet e vështira të vendit.
Këto para aktualisht po shërbejnë për shlyerjen e disa faturave të shtetit. Nuk është e zakonshme që nga rezerva e buxhetit, të përdoren valutë, por kohët e vështira e diktojnë këtë. Tashmë pagesat kanë nisur edhe në valutë, pavarësisht se monedha kombëtare është Leku.
Një vendim i qeverisë, miratuar më 28 gusht, e dëshmon likuidimin e shpenzimeve në euro për nevojat e vendit. Emergjencat me zjarret dhe pamundësia financiare e Ministrisë së Brendshme për të përballuar kostot e menaxhimit, ka detyruar Kryeministrin të prekë rezervën, duke i akorduar rreth 200 mijë euro. Këto para kanë dalë nga fondi rezervë i shtetit dhe ndryshe nga herët e kaluara kur është përdorur monedha Lek, Ministria e Financave e ka akorduar shumën në euro, të siguruar nga dy ankandet e mëparshme.
Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, ti shtohet fondi prej 200 000 eurosh, e barabartë me kundërvleftën e saj në lekë, për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga zjarret në vendin tonë, thuhet në njoftimin zyrtar. Këto para mund të përdoren për shërbimin e ofruar nga helikopterët si ndihmë e vendeve fqinje, por në situata të ngjashme, pagesat janë kryer në lekë dhe jo në valutë.
Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Kujtojmë se me krizën energjetike të fillimvitit, qeveria e thau të gjithë rezervën për nevojat e KESH-it, plot 2 miliardë lekë dhe deri më sot është treguar e kujdesshme për menaxhimin e situatave.
Vendimi përkon me datën e publikimit në gazetën Shqip të lajmit se rezerva e shtetit nuk ka para dhe se menaxhimi i shuarjes së zjarreve ishte kthyer në mision të vështirë.
Në ankandin e dytë, zhvilluar në javën e tretë të muajit gusht, qeveria mori 15 milionë euro borxh në tregun e brendshëm përmes bonove të thesarit të nominuara në monedhën europiane. Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, qeveria ka arritur të marrë të gjithë shumën e kërkuar me një interes mesatar prej 5.26%. Ky është ankandi i dytë brenda muajit, ku qeveria merr borxh në euro. Ankandi i parë u zhvillua në fund të korrikut, ku edhe pse kërkoi sërish 15 milionë euro borxh, Ministria e Financave arriti të sigurojë vetëm 11.5 milionë euro për shkak të ofertave të pakta.
A.Kola
Kriza, qeveria nis pagesat në valutë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip