“Ankthe elektorale po mbajnë peng të ardhmen europiane”
Ilir Meta takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Komunën “Krutje” në Qarkun Fier
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, zhvilloi një takim mjaft entuziast në Komunën e Krutjes me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në këtë komunë si edhe në Komunat Bubullimë edhe Kolonjë, komuna të Qarkut të Fierit.
Në fjalën e tij para qindra të pranishmëve zoti Meta deklaroi se LSI është sot më e vendosur se asnjëherë tjetër që potencialin e jashtëzakonshëm të banorëve të Krutjes, Bubullimës, Kolonjës por edhe të gjithë Myzeqesë për zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë vendit, ta vërë më mirë në lëvizje në të ardhmen përmes rritjes dhe fuqizimit të skemave mbështetëse për prodhimet bujqësore, për agro-përpunimin, për uljen e kostove të prodhimeve tuaja.
Ndërkohë, kreu i LSI, Meta vuri në dukje se ajo që kërkohet për të ecur përpara dhe më shpejt në rrugën e integrimit evropian është bashkëpunimi midis forcave politike, bashkëpunimi midis gjithë qytetarëve tanë, kudo ku ata jetojnë. “Të gjithë shqiptarët që kërkojnë ura bashkëpunimi midis njëri-tjetrit dhe jo mure ndarëse, i kanë kthyer sytë nga LSI-ja me besimin se duke fuqizuar LSI-në në 23 qershor do të ndihmojë që vendi të ketë një Parlament tjetër, më të përgjegjshëm, më të arsyeshëm, një Parlament që i voton ligjet që kërkon integrimi evropian i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, një Parlament që diskuton për problemet e bujqësisë dhe të Myzeqesë që të duket sikur Shqipëria ndodhet ende në vitin 1992, për shkak të konfliktit politik që pasqyrojnë drejtues të forcave të tjera politike”, theksoi Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se LSI do të vazhdojë të sillet në mënyrë europiane, do të vazhdojë me shpirtin e saj proeuropian të fuqizojë mesazhin e saj të bashkëpunimit, mesazhin e saj të integrimit, mesazhin e saj të modernizimin të shoqërisë sonë përmes pjesëmarrjes dhe jo përjashtimit, përmes bashkëpunimit dhe ndarjeve, përmes dashurisë dhe jo urrejtjes. “Ne jemi të bindur se qytetarët tanë ndeshen me sfida të vështira që kanë bëjnë me përballimin e jetesës së përditshme, me edukimin, me shkollimin e fëmijëve të tyre dhe këto janë sfidat me të cilat ne merremi dhe do të merremi, sot dhe në të ardhmen. Është e domosdoshme që politika të japë mesazhe instruktiveve të cilat e përmirësojnë klimën e biznesit, të cilat inkurajojnë sipërmarrësit dhe biznesmenët për të investuar dhe jo të japë mesazhe hakmarrëse dhe konfliktuale sepse perspektiva e mirë e një biznesi nuk do të thotë perspektivë e mirë për një biznesmen por do të thotë një garanci për të ruajtur dhe për të shtuar vendet e punës, për dhjetëra, qindra lushnjarë dhe shqiptarë”, u shpreh ai. Duke përfunduar fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Komunën Krutje para qindra anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i bëri thirrje palëve politike në Shqipëri të bashkëpunojnë për të krijuar një klimë sa më pozitive për zhvillimin e biznesit dhe të sipërmarrjes së lirë sepse në këtë mënyrë sipas tij ndihmohen shqiptarët për të ruajtur vendet e punës, ndihmohen shqiptarët që të gjejnë vende të reja të punës. “Inkurajojmë sipërmarrësit vendas dhe ata të huaj për të investuar në Shqipëri dhe besojmë tek vlerat e myzeqarëve, tek vlerat e gjithë shqiptarëve, tek aftësitë dhe talenti i tyre. Ne e dimë shumë mirë se çfarë kanë bërë shqiptarët kudo ku kanë emigruar, por e dimë shumë mirë edhe se çfarë kanë bërë shumë prej jush në vendin e tyre dhe është detyra jonë që këto energji pozitive t’i shumëfishojmë në mënyrë që prodhimi bujqësor në rrethin e Lushnjë dhe në gjithë Myzeqenë të rritet disa herë më shumë në mënyrë që eksportet tuaja të rriten disa herë më shumë në mënyrë që mirëqenia juaj të rritet akoma më shumë sepse kjo është mirëqenie për të gjithë shqiptarët dhe është në kontributin e rritjes ekonomike të të gjithë vendit”, theksoi ndër të tjera në Krutje, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.