E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Rama, një prisësh festash, si Hamza Kastrioti e Haxhi Qamili”

29-12-2012 / Gazeta 55

Në analizën që Kryetarja e Kuvendit i bën punës së legjislativit gjatë vitit 2012, ajo thekson sjelljen apatride të opozitës, e cila i privoi shqiptarët nga integrimi në 100-vjetorin e pavarësisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka cilësuar të suksesshëm punën e Parlamentit gjatë vitit 2012, pasi sipas saj, u miratuan ligje të rëndësishme edhe me konsensus dypalësh.
Gjatë analizës 1 vjeçare të legjislativit, Topalli u ndal veçanërisht te bllokimi në parlament i tre ligjeve të Komisionit Evropian, miratimi i të cilave do bënte të mundur marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Ajo bëri përgjegjës Partinë Socialiste, duke theksuar se i privuan shqiptarët nga ëndrra evropiane në 100 vjetorin e themelimit të shtetit. “Kontributi i opozitës ishte për tu vlerësuar në miratimin e disa ligjeve të rëndësishme, por fatkeqësisht, prej 18 shtatorit 2012, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, opozita nuk ka pranuar të japë konsensus për miratimin projektligjit për Gjykatën e Lartë (i propozuar prej saj), projektligjit për nëpunësin civil dhe reformën parlamentare, duke privuar të gjithë shqiptarët që Shqipëria në 100 vjetorin e pavarësisë së saj të jetë vend kandidat i Bashkimit Europian, megjithëse Komisioni Europian propozoi në tetor dhënien e statusit të vendit kandidat me të vetmin kusht votimin në parlament të këtyre tre projektligjeve. Ky refuzim nuk lidhet me zhvillimet në axhendën parlamentare pasi opozita ka votuar ‘pro’ për shumë ligje të tjera përpara dhe pas kësaj date duke përfshirë edhe ligjin për dhënien e amnistisë si ligj me shumicë të cilësuar, por jo tre ligjet që kërkonte Komisioni Europian”, u shpreh Topalli.
Ajo ka thekuar se tre ligjet do të jenë pjesë e axhendës parlamentare deri sa të votohen dhe këtë do ta zgjedhin shqiptarët me votën e tyre. “Nga të gjitha ligjet që janë votuar me shumicë të thjeshtë janë 124 ligje, nga këto 124 ligje kanë marrë konsensus të plotë nga opozita 79 ligje. Gjetën votën dhe vullnetin e mirë për të votuar 79 ligje, apo 2/3 e ligjeve për të cilët mazhoranca nuk kishte nevojë për votën e tyre dhe për tre ligje që kërkon Komisioni Europian nuk gjejnë tre sekonda për të votuar, për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, kjo është përgjegjësi e madhe, kjo është më shumë se ‘guastafesta’. Kjo është e papranueshme”, theksoi kryetarja e Kuvendit.
Kryetaparlamentarja Topalli e ka krahasuar liderin e opozitës me personazhe të cilat në histori janë paraqitur si figura që kanë punuar kundër Shqipërisë, siç janë Hamza Kastrioti dhe Haxhi Qamili. “Po të hedhësh sytë prapa dhe të shohësh historinë, në historinë tonë kemi pasur Hamza Kastriotin, kemi pasur Haxhi Qamilin, kemi pasur në çdo moment, në çdo shekull, njerëz që janë bërë pengesë dhe mur, zhvillimit apo ecjes përpara të Shqipërisë. Kemi qenë të fundit që kemi marrë pavarësinë, kemi qenë të fundit, gati për t’u lënë si Kuba, për të kapërcyer sistemin diktatorial sepse gjithmonë të tillë njerëz janë gjetur brenda Shqipërisë dhe ne duhet ta pranojmë. Haxhi Qamilët janë krijesa shqiptare, Hamzai është krijesë shqiptare dhe sot edhe në 100 vjetorin e pavarësisë gjendet një, që pengon Shqipërinë”, deklaroi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit paraqiti një panoramë optimiste rreth situatës ekonomike në vend, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka rënë në recension dhe kjo falë reformave të ndërmarra nga qeveria në sektorë të ndryshëm të vendit.
Kryetarja e Kuvendit tha se tha se viti 2012-ë shënoi një bilanc të suksesshëm për parlamentin shqiptar në miratimin e ligjeve të rëndësishëm dhe të reformave. “Në këtë vit ne kemi miratuam 203 akte parlamentare, 131 ligje, 55 vendime dhe 17 rezoluta. Zhvillimet legjislative kulmojnë me miratimin e ligjeve që shënojnë reforma të jashtëzakonshme në dobi të progresit të vendit dhe në përmbushjen detyrimeve të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian”, u shpreh Topalli.
Zgjedhja e presidentit përmes një procesi tërësisht kushtetues, për kryetaren e Kuvendit ishte ngjarja më e madhe parlamentare e këtij viti. Ndërsa shumë ligje të tjera u miratuan në përmbushje të reformave të rëndësishme në të gjitha fushat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›