Në radhë për të vdekur… Nga Albana ÇakshiriQuhej Viktor. 5 vjeç. Asnjëherë ai nuk mundi të korrë fitore në jetën e tij si emri që mbarte, derisa merrte frymë, qoftë dhe përmes lodrave që s’i pati kurrë. Shteti si në një kor kobzi vendosi të miratojë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Në radhë për të vdekur… Nga Albana ÇakshiriQuhej Viktor. 5 vjeç. Asnjëherë ai nuk mundi të korrë fitore në jetën e tij si emri që mbarte, derisa merrte frymë, qoftë dhe përmes lodrave që s’i pati kurrë. Shteti si në një kor kobzi vendosi të miratojë ekzekutimin e këtij djaloshi, duke e çuar drejt banesës së përhershme. Shteti e vrau në spital të miturin. Më pas edhe në gjykatë urdhëroi vrasjen e dytë ndaj të pafajshmit që nuk jeton më. Dhe kjo vrasje ishte më rrëqethëse se ajo e para. Drejtësia vendosi të bëhet palë me të akuzuarit duke i lënë të lirë. Ky është shteti ynë, me mjekë të korruptuar, me infermierë po kaq të kapur, me gjyqtarë që nuk ndalen përballë kurrfarë makabriteti, edhe kur fjala është për një fëmijë, ndonëse mund të jenë edhe prindër. Por të qenit prind nuk paska fare rëndësi, as për bluzat e bardha, as për togat e zeza, që u ngjizën këtë herë në një realitet bardhezi duke na servirur një gjetje të tyre deri në pështirosje. Kurse jeta e një fëmije të varfër me prindër që e ushqenin qoftë dhe një herë të vetme në ditë, për ta është e padukshme. Nuk ka rëndësi vërtet se vetëm në atdheun tonë të “dashur” jeta është e pavlerë, fëmija është i përbuzur, varfëria gjithashtu i largon ata që kanë në dorë të ndryshojnë qoftë edhe duke kontribuar ndonjëherë me ndonjë vendim në emër të së vërtetës. Këtu te ne s’mund të ndodhë asgjë e tillë, veçse të shtohen rastet e dhimbjes që është bërë gati-gati kolektive. Të shkosh në spital për t’u shëruar dhe nëse nuk paguan të lenë të vdesësh pa kthyer kokën pas; të shkosh në gjykatë për drejtësi, kur të marrin jetën, vrasësi vlerësohet dhe në fakt viktima merr fajin edhe në vdekje; të kërkosh pronën tënde nuk ta japin, se ta kanë zaptuar dhe se dikush tjetër është bërë pronar i saj; të kërkosh të jetosh si një qytetar i botës së lirë nuk ke mundësi, se shteti yt të masakron butësisht çdo ditë me format e tij, që nuk ngjajnë me asgjë tjetër në botë. Po, po. Ky është shteti që është dorëzuar dhe është mbërthyer nga kllapat e turpit. Shtet që nuk do t’ia dijë se qytetarët e tij vdesin në shtretërit e rënduar të spitaleve tona, ku grykësia për t’u pasuruar arrin deri në makabritet, shtet ku shtetasit e tij jetojnë në një varfëri që kalon caqet e imagjinatës, ku vakti me vetëm pak bukë e kripë është më ideali për një pjesë jo të vogël të familjeve shqiptare, ku vihen në radhë si për të mos u ndalur nga e kaluara komuniste, për të marrë një pasaportë, në radhë për të kaluar ligjërisht kufirin, madje edhe për të hyrë në Shqipëri, në radhë pranë ambasadave tona në Evropë e kudo tjetër, në radhë edhe për të paguar taksat e çmendura, edhe për të paguar faturat me shifra të pazakonta të energjisë elektrike, në radhë edhe për t’u punësuar para selive të partive qeverisëse, në radhë edhe për të takuar ministrin, kryeministrin, deputetin, në radhë edhe për t’iu përgjëruar mjekut për një mjekim kundër helmimit, në radhë edhe për të kërkuar drejtësinë, tashmë në radhë, pse jo, edhe për të vdekur… Sa turp, ky vend prodhon kaq shumë ngjarje drithëruese, ka kaq shumë të pasur që natyrisht janë mjekë, gjykatës, prokurorë, ministra, deputetë, kryebashkiakë, tatim-mbledhës, trafikantë, vrasës me pagesë, sa shumë… Është e frikshme, kur e mendon, por kjo është e vërtetë. E nëse Viktorin e vranë, se nuk deshën t’i jepnin një mjekim, pasi nuk mund të merrnin fitimin e radhës, drejtësia u përbalt si përherë. Kurse shoqëria jonë mbeti e pandryshuar, ndoshta me ndopak brejtje ndërgjegjeje që s’mundi të bëjë asgjë, për të mos përjetuar histori të tilla që nuk janë veçse një prodhim “Made in Albania”.