E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresat e humbura te reflektimi

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, ka hyrë në një spirale të pakthyeshme konflikti me institucionet e drejtësisë në vend dhe diplomatët perëndimorë për shkak të dosjes “Fazlliç”. I ngarkuar emocionalisht ndaj kryeprokurores, pse kjo e fundit lejoi të hapej proces penal ndaj tij, ai hodhi në betejë gjithë ushtarët e tij, ministra, drejtues partie, gazetarë, deputetë dhe në fund veten e vet. Kostoja politike e Damir Fazlliçit arriti kështu një rekord historik në politikën shqiptare. Ai është praktikisht targeti i drejtësisë shqiptare, por në të njëjtën kohë dhe “Kështjella” që nuk braktiset prej Berishës. Për shkak të këtij vendimi Berisha tashmë ka një problem të madh justifikimin e kësaj beteje në opinionin publik. Demokratët e thjeshtë pyesin përditë se, ç’është ky Damir Fazlliç, që nuk e paskëshin njohur më parë dhe që për të kryeministri i tyre është gati të dorëzojë pushtetin? Zyrtarët normalë të shtetit ngrenë supet dhe pyesin, kush është ky Damir Fazlliç, që ata duhet të kyçin sirtarët dhe të mos japin asnjë letër që ka lidhje me të? Deputetët normalë të shumicës rrinë me gjak të ngrirë mos thirren ushtarë në betejë për të mbrojtur Damir Fazlliçin. Ministrat struken pas tavolinës, kur u bie zilja e kryeministrit, nga frika se mos i thërret për të mbrojtur Fazlliçin. Vetëm mediat e Aleksandër Frangajt e bëjnë me qejf këtë detyrë. Ato sulmojnë përditë gjithkënd që prek Fazlliçin dhe janë në dispozicion të tij, deri dhe duke çuar gazetarët e TV “Klan”-it si përkthyes të avokatëve të tij në prokurori.

Por problemi nuk është te mënyra se si e përjeton shumica dramën “Fazlliç”, por si e përjetojnë diplomatët perëndimorë reflektimin e kryeministrit. Gjëja e parë që ata mbajnë shënim, është se kryeministri ka hedhur shtetin në betejë për të mbrojtur një serbo-boshnjak të përfolur për afera korruptive në gjithë Ballkanin. Gjëja e parë që duhet të bënte kryeministri, ishte e kundërta. Ai duhet të vinte shtetin në dispozicion të hetimit të tij, ngaqë e ka mik, për të dëshmuar se ka miq të pastër. Destabilizimi i tij psikologjik dhe politik që pas nisjes së hetimeve është një akuzë e fortë për të.

Gjëja e dytë që mbahet shënim në gjithë këtë betejë me kosto të lartë për shumicën, është keqpërdorimi i njerëzve të Berishës. Ai hodhi në betejë Alibeajn, Nishanin, Patozin, median dhe tani nuk mund t’i ndëshkojë ata që të bindë diplomatë si Withers se ishte faji i tyre. Nuk mund ta bëjë këtë dhe për një arsye banale, pasi të gjithë e dinë se ata kanë folur dhe kanë vepruar me gjuhën dhe dorën e tij. Çdo gjë të bëjë ai me personat që u lakuan së paku dje publikisht nga ambasadori amerikan, e ka keq. Nëse i flak, është krejt i pabesueshëm, nëse i mbron, është krejt i dënueshëm. Spiralja, në të cilën ka hyrë, nuk ka kthim mbrapa, dhe ai ka pak shanse të korrigjojë çfarë ka ndodhur.

Së treti, ai tashmë do të përpiqet të ndërmarrë ndonjë aksion antikorrupsion apo diçka të përafërt për të prodhuar lajm të ri, pasi mendon se kështu harrohen këto probleme të hapura. Është e pritshme që këtë javë ose javën tjetër të dëgjojmë ndonjë arrestim. Nuk dua të bëj fallxhorin, por ndonjë nëpunës mund të bëhet kokë turku për të prodhuar zhurmë. Kjo nuk është se do të zgjidhë ndonjë gjë, por ai nuk ka me sa të mbulojë shijen e hidhur të ceremonisë së djeshme në “Sheraton”.

Por, pavarësisht kësaj, problemet mbeten të hapura dhe ai ka një tokë të minuar përpara vetes, ku është paralajmëruar qartë të mos shkelë. Nuk duhet të ngrejë më komision për Ina Ramën, nuk duhet ta miratojë kështu siç është ligjin për administratën gjyqësore, nuk duhet të shmangë hetimet për Fazlliçin, nuk duhet të bëjë presion për Gërdecin, nuk duhet të mbështesë qëndrimet e Nishanit dhe Alibeajt, nuk duhet të fyejë diplomatët perëndimorë duke i konsideruar vërejtjet e tyre keqkuptim. Asnjë nga këto detyra ai nuk e bën dot. As do e as mund. Është një thirrje që ai të dorëzojë pushtetin që mezi ka grumbulluar rreth vetes. Thellë-thellë ai dhe mund të jetë gati ta dorëzojë, por ata që ka përballë duan ta detyrojnë ta bëjë këtë publikisht. Këtë nuk e bën dhe mund t’i humbasë të gjitha. Dhe kur mendon se shkak i fundit i kësaj është një njeri i super-përfolur si Damir Fazlliç, dyshimet për lirinë e kryeministrit shtohen shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›