E Shtunë, 31 Tetor 2026

Annus Horribilis - 2008 apo 2009?

Gjatë vitit 2008, gati të gjitha ledhet e fortesës së financave ranë përtokë. Me qindra banka investuese dhe komerciale falimentuan gjithkah nëpër glob. Krediti planetar u ngri, papunësia është në rritje dhe, si rezultat, konsumi, si faktori më i rëndësishëm i Bruto Prodhimit Kombëtar (BPK), ka filluar një rënie pingule, e cila sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë edhe në vitin 2009.

Dëmi i ngjarjeve dramatike të vitit 2008 në sistemin ekonomik ishte i thellë dhe i gjerë. SHBA-ja, BE-ja, Kina, Rusia, vendet e Europës Lindore dhe Lindjes së Mesme dhe tregjet tjera emergjente janë në recesion, ose duke hapëruar drejt zbritjes sa i përket rritjes ekonomike dhe do të jemi me fat nëse viti 2009 do të jetë viti kur ekonomia globale do të ngjitet përpjetë përsëri. Bankat Qendrore dhe qeveritë e shumë vendeve janë munduar të ndërmarrin veprime drakonike përmes politikave monetare dhe fiskale për të luftuar krizën. Shefat e qeverive, në bashkëpunim me krerët e institucioneve monetare shtetërore dhe departamenteve të thesarit, kanë ulur normat e interesit, në disa raste deri në zero, si dhe kanë printuar qindra miliarda para letre për bankat e rrëzbitura, kompanitë e sigurimeve dhe së fundi edhe korporatat e prodhimit të automobilave. Porse, deri më tash, të gjitha këto ndërhyrje nuk kanë qetësuar shpirtin e trazuar të tregjeve dhe volatiliteti vazhdon të jetë jashtë zonës së devijimeve standarde normale. Kur Bankat Qendrore barazojnë normat e interesit me zero, politikës monetare i lidhen duart dhe në realitet ajo ka në dispozicion krejt pak instrumente të vazhdojë betejën. Autoritetet e bankave qendrore bien në kurth të likuiditetit, ngase edhe pse u japin bankave private para gati falas, këto banka i mbajnë paratë në bilancet e tyre dhe nuk lëshojnë kredi për të rinisur procesin kreditor. Zgjidhjet e vetme mbeten politika fiskale dhe muskujt e fortë të qeverisë, të marrë rolin e investitorit kryesor, duke investuar në projekte publike për të krijuar vende pune dhe fonde mbështetëse për të papunët, për të ruajtur paqen, rendin dhe stabilitetin.

Kriza financiare ka filluar kah mesi i vitit 2007, por katalizatori për stërkeqësimin dhe transferimin e saj në krizë ekonomike ishte vendimi i SHBA-së, gjegjësisht sekretarit të Thesarit, Henry Paulson, dhe Kryetarit të Bankës Qendrore, Ben Bernanke, të lejojnë bankrotimin e bankës Lehman Brothers me 15 shtator 2008, përkundër faktit se qeveria amerikane kishte shpëtuar nga falimentimi në pjesën e parë të 2008-s, p.sh., bankën Bear Stearns dhe korporatat për dhënien e kredive për shtëpi, si Fannie Mae dhe Freddie Mac. Sinjali që qeveria amerikane donte ta përçonte te bizneset përmes Lehman Brothers-it, ishte se kompanitë e pakujdesshme dhe jopërgjegjëse do të paguajnë për gabimet e veta. Mirëpo, ngrehina financiare globale është bërë tepër interdependente të mos efektohet kur një shtyllë bie, sidomos një e tillë si Lehman Brothers-i, që ishte palë kontraktuese në të ashtuquajturat credit default swaps (CDS) kontrata me mijëra e mijëra investitorë. Porosia nuk u kap si duhet. Për më keq, ajo u keqinterpretua dhe besimi në sistem filloi të degradohet.

Qeveritë dhe aktorët e tjerë ekonomikë, me mish e me shpirt, po mundohen të bëjnë me dije se gjërat do të rregullohen, porse kjo nuk do të ndodhë derisa sistemi të pastrohet dhe rinovohet. Investitorët janë qenie lakmitare për profit dhe ashtu siç janë të shpejtë të marrin rrezik për përfitime, po aq janë të shpejtë të frikësohen dhe të krijojnë avelanzhe paniku, të cilat në rrugën teposhtë drejt humnerës marrin me vete edhe investimet që, përndryshe, janë të mira dhe me vlerë. Për ilustrim të kësaj sjelljeje, vetëm në SHBA tregjet e aksioneve kanë gllabëruar rreth 7.6 trilionë dollarë nga pasuria e investitorëve. Por as tregjet e vendeve tjera nuk kanë dalë më mire. Fjala vjen, MSCI World Index, që reflekton vlerën e aksioneve në 23 vende të zhvilluara, ka rënë për 47 për qind. Institucionet e ndryshme financiare tejandej rruzullit tonë kanë stornuar përafërsisht 700 miliardë dollarë në heqje vlere të evidencës kontabël, ose humbje kreditore, dhe kanë përjashtuar nga puna rreth 220 000 njerëz. Mundësia e një depresioni ekonomik është shumë e afërt, edhe pse shumë ekspertë financiarë dhe ekonomistë besojnë se probabiliteti që kjo të ndodhë është shumë i vogël. Recesioni ka shtrirë jorganin e tij prej Gjermanisë deri në Japoni. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka dhënë më shumë hua suportive vendeve si Islanda deri te Pakistani gjatë nëntorit të 2008-s se sa në pesë vitet e fundit bashkërisht. Shkurt e trup, ekonomia globale në vitin 2008 ka përjetuar një arrest kardiak, siç tha para disa ditësh për agjencinë “Bloomberg”, Mohammed El-Erian, menaxher me famë i kompanisë PIMCO në Newport Beach të California-s, që është investitori instituticional më i madh në botë në bono qeveritare dhe të korporatave.

Sa u përket vendeve ku jetojnë shqiptarët dhe Ballkanit, gati të gjitha shtetet e gadishullit ka afërsisht dy dekada që janë në një krizë ekonomike të tranzicionit, përkundër faktit se disa qeveri dhe tek-tuk ndonjë ekspert nuk duan ta pohojnë këtë. Është e vërtetë se në vendet ballkanike kriza financiare nuk është ndier fort si në vendet me tregje financiare të etabluara, mirëpo krahasimi relativ i zhvillimit të këtyre ekonomive, vit me vit dhe vetveten është çorientues. Për shembull, Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë arritur të zgjidhin problemet e energjisë dhe infrastrukturës apo tregjeve bazë financiare, siç janë bursat dhe tregjet e bonove, e para 18 vite pas fillimit të tranzicionit dhe e dyta 9 vite pas përfundimit të luftës çlirimtare.

Kriza financiare mund të mos i ketë goditur shqiptarët direkt si të tjerët më 2008-n, por, ndërsa ajo është duke u shndërruar në krizë ekonomike, shqiptarët mund të befasohen nga efektet e saj gjatë vitit 2009. Ka shumë arsye për këtë drojë. Së pari, investimet e brendshme dhe ato direkte të jashtme në rajonin e Ballkanit dhe vendet tona, mund të bien ose nuk do të bëhen fare. Së dyti, remitancat e emigrantëve do të zvogëlohen drastikisht, sepse shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve shqiptare mund të humbin punën, si dhe t’i ekspozohen deflacionit të të ardhurave si rezultat i papunësisë kudo që punojnë. Së treti, donacionet që mund të vijnë nga organizmat financiarë ndërkombëtarë, do të shtyhen për më vonë ose do të shkurtohen. Së katërti, për vitin 2009 tregtia e jashtme do të ulet për herë të parë në 25 vitet e fundit dhe, sipas Bankës Botërore, volumi botëror i tregtisë do të kontraktojë për 2.1 për qind dhe kjo mund t’i tundojë vendet pjesëmarrëse në tregtinë e jashtme të bëhen proteksioniste, duke dëmtuar eksportet e pakta dhe dobëta nga vendet ku jetojnë shqiptarët. Së pesti, sistemi ekonomiko-financiar botëror do të pësojë ndryshime të thella dhe shtetet e shqiptarëve, nëse nuk përgatisin strategji adekuate për ekonominë dhe sistemet e tyre internale financiare, mund të humbasin në peshë, rëndësi dhe interesa gjatë (ri)pozicionimit të shteteve të globit tonë në mekanizmat, organizmat dhe strukturat rajonale dhe globale ekzistuese apo të reja.

Në përgjithësi, parashikimet dhe parametrat për vitin e ardhshëm nuk kallzojnë se 2009-a do të jetë më i mirë se 2008-a. Sipas IIF Global, shoqatë me 400 anëtarë nga sektori i shërbimeve financiare nga mbarë bota, outputi global në vitin 2009 do të bjerë për 0.4 për qind krahasuar me rritjen prej 2 për qind me 2008-n. Gjatë vitit 2009, BPK-ja reale në SHBA, që është epiqendra e krizës financiare, do të ketë një rënie prej 1.3 për qind, kurse në Eurozonë BPK-ja pritet të ketë rënie prej 1.5 për qind. Ekonomia e Japonisë do të tkurret për 1.2 për qind përkundrejt 0 për qind rritjeje për vitin 2008, ndërsa ajo e Kinës do të ngadalësohet prej 9.3 për qind në vitin 2008 në 5.9 për qind me 2009-n.

Pra, viti 2009 do të na ballafaqojë me shumë telashe. Përpos papunësisë së lartë, ai do të sjellë, në gjashtëmujorin e parë, deflacion, i cili mëpastaj mund të kthehet në inflacion galopant për shkak të sasisë së parave që është duke u emetuar nga Bankat Qendrore. Ish-ekonomisti kryesor i FMN-së dhe profesor në Universitetin e Harvardit, Kenneth Rogoff, ka përshkruar mirë situatën, ndërsa ka thënë për agjencinë “Bloomberg”, javën e kaluar se kjo krizë çfarë po përjetojmë është problem që ndodh njëherë në shekull dhe përtëritja e ekonomisë do të jetë e ngadalshme, prandaj sfida më e madhe do të jetë që krizën ta menaxhojmë për dy-tri vite ashtuqë ajo të mos zgjasë një decenie. Profesori Rogoff është komplementuar bukur nga fjalët e kryeekonomistit të bankës UniCredit MIB në Londër, Marco Annunziata, i cili ka thënë për të njëjtën agjenci: “Viti 2008 ka qenë Annus Horribilis për financat dhe bazuar në zhvillimet aktuale, viti 2009 duket se nuk po mund pret të jetë Annus Horribilis për ekonominë”. Autori i shkrimit pajtohet me të dy ekonomistët dhe lexuesve u uron një vit të lumtur 2009, edhe pse duket se të gjithë do të duhet të shtrëngojmë rripin.

*Autori është ekspert i financave dhe ekonomisë / Jeton në New York.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›