E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallet e Ballkanit...

Pata rastin që, para disa ditësh, të ndjek në Kroaci një monodramë, “Mister Single”, me aktorin e famshëm kroat, Zhelko Vukmerica, dhe regji të Matko Raduzhit. Kjo monodramë, nga tematika dhe përmbajtja dukej krejt “shqiptare”. Në skenë u shpalosën ato probleme, të cilat ne i ndeshem thuajse çdo ditë edhe në Shqipëri.

Shfaqja kishte si tematikë sfidën ndaj vetmisë të një njeriu të lodhur së tepërmi nga politika. Personazhi i monodramës është një miliarder që jeton në mes të një luksi të zi. Nuk i mungon asgjë, por i mungon gjithçka: jeta e tij është e shpëlarë nga politika. Një politikë bajate, e cila ia ka mërzitur jetën deri në ato caqe sa mendon se nuk i duhet më.

Ai shikon që vendin e drejtojnë njerëzit më të paaftë, më të përciptët, më të pacipët, servilët, mediokrit. E kanë lidhur jetën e tyre më partitë politike për të marrë një post. Kur hipin në këtë post, merren me korrupsion dhe dallavere. Ombrella që i mbron është partia e tyre. Dhe, ky njeri, ndonëse shumë i pasur ekonomikisht, ndihet shumë i varfër shpirtërisht. Vuan i mbyllur në vetvete.

Por, krejt papritur vendos që t`i bëjë një sfidë kësaj shoqërie të kalbur të rrethuar me kameleonë partish politike. I krijon brenda studios së tij një botë imagjinare. Si të keqen më të madhe të njerëzimit përcakton dhënien e posteve drejtuese, njerëzve të paaftë. Merr një letër dhe fillon të shkruajë. Ndërton aty një organikë me njerëzit më të aftë që ka shoqëria e asaj kohe.

“Emëron” në botën e tij të mbyllur ministrat më të zotë. Një profesor të famshëm të shkencave mjekësore e vendos ministër të Shëndetësisë, një tjetër e vendos ministër Arsimi dhe kështu me radhë. Më pas, këta ministra hipotetikë, zgjedhin rreth vetes stafe me drejtorë dhe specialistë nga më të aftët në shoqëri.

I mbylluri në botën e tij imagjinare jeton vetëm me këtë imazh dhe me këta drejtues të aftë që ai vetë ka zgjedhur. Shikon me kënaqësi që punët shkojnë si jo më mirë. Njerëzit ndjehen të kënaqur, nuk i sorollat më kurrkush nëpër zyra ryshfeti.

Por, realiteti jashtë studios së miliarderit është krejt ndryshe. Fatet e atij vendi i ka tjetërkush në dorë (fundja ai që ka guxuar t’i ketë) dhe ai vend shkon keq e më keq. Në fund aktori del nga vetmia. Kupton se gjithçka është në vegimet e tij ideale. Shpërthen fort: “O njerëz, o njerëz, është koha e maskarenjve”.

Kjo monodramë më erdh në mendje këtë fundviti, kur në rrugët e qytetit tim më ndaloi një person, nga ata “të fortët” që ka ende çdo qytet shqiptar. Disa herë ka qenë protagonist i kronikave të trafikut dhe akuzave të tjera. “Besoj, - më tha ai, - se në këtë Vit të Ri që sapo hyri, nuk do të merresh më me mua. Boll, a e kuptoni se nuk keni se çfarë të më bëni...?”

Më pas më afroi telefonin celular dhe më tha të lexoja një prej mesazheve në të. Një politikan i njohur i shkruante: “I dashur miku im. Të uroj këtë vit, sa më shumë shëndet dhe para. Kemi zgjedhjet në qershor. Ti ke qenë dhe do të jesh krahu im i djathtë, me ty nuk ka kala që nuk marr unë”. (!!)

Fakti nuk ka nevojë shumë për koment. Një politikan e deputet i kërkon ndihmë një personi të tillë. Sidoqoftë, është më mirë të njohim këtë të vërtetë të hidhur. Të paktën kështu, nuk mashtrohemi më nga gënjeshtrat e bukura që ata thonë në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›