E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anri Sala: Një drekë me Marubin në Itali

“Déjeuner avec Marubi”, një krijim i vitit 1996 i artistit shqiptar Anri Sala, është ekspozuar në ekspozitën e përbashkët të artistëve ndërkombëtarë, titulluar “Gjuhë dhe eksperimentime”, e cila do të qëndrojë e hapur në muzeun “Mart” të Veronës në Itali deri më 22 gusht

“Déjeuner avec Marubi”, një krijim i vitit 1996, i pari i artistit shqiptar me famë ndërkombëtare Anri Sala, është ekspozuar në ekspozitën e përbashkët titulluar “Gjuhë dhe eksperimentime”, e cila do të qëndrojë e hapur në muzeun “Mart” të Veronës në Itali deri më 22 gusht. Në ekspozitën ku marrin pjesë artistë të njohur nga vende të ndryshme të botës, Anri Sala përcjell për publikun një “Drekë me Marubin”, e cila rrëfen për një takim konfliktual të dy botëve dhe dy traditave të ndryshme. Bëhet fjalë për videon e parë të krijuar nga artisti Anri Sala, duke qenë se edhe një prej kushteve të kësaj ekspozite ka qenë paraqitja e veprave të para të këtyre artistëve, sot të njohur, veprat e asaj kohe kur ata ende ishin në fillesat e tyre. Kjo videoanimacion sjell imazhe tepër të njohura të fotografit shqiptar Marubi, të realizuara në vitet e para të shekullit të shkuar. Dy gra të veriut të Shqipërisë, të veshura me veshje tradicionale shqiptare, janë fotografuar nga Marubi, ndërsa punojnë me një makinë qepëse. Fotografia është mbivendosur mbi një kryevepër të Manet, titulluar “Le Déjeuner sur l'herbe”. Një grua, nudo e Manet, është veshur nga artisti ndërkaq me të njëjtën veshje tradicionale që kanë gratë e veriut të Shqipërisë në fotografinë e Marubit. Sala, pasi kreu Akademinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, nga viti 1996-1998, u shkollua në Ecole Nationale Supérieure des Arts Décoratifs (dega e videos) në Paris, e pastaj në vitin 2000 përfundoi studimet postdiplomike të regjisë së filmit në Le Fresnoy, Studio National des Arts Contemporains, në qytetin francez të Tourcoingut. Në veprën e parë që Anri Sala e bëri pas ardhjes nga Francë, “Dejeunér avec Marubi” (1996), ai i përdori stereotipat e klishetë e kulturave si lindore ashtu edhe perëndimore përmes manipulimit të pikturës së Eduard Manetit, “Déjeuner sur l’Erbe”, ku rrobaqepësja e re malësore e fotografisë së Kel Marubit në makinën Singer arrin, me një “trik” interesant, të veshë nudon e Manetit. Videoja e parë e krijuar nga Anri Sala zgjat për rreth katër minuta. Për realizimin e këtij krijimi artistik, Anri Sala ishte frymëzuar prej fototekës së famshme të Marubit, një arkiv i çmuar fotografik, i cili numëron rreth 150000 negativë fotografikë në lastër dhe xham.

Ajo do të jetë pjesë e kësaj veprimtarie të përbashkët, e cila kurohet nga Giorgio Verzotti, shoqëruar edhe me një katalog të Hans-Ulrich Obrist. Rreth 20 veprat pjesëmarrëse do të jenë pjesë e koleksionit të përhershëm të kësaj galerie. Përmes kësaj ekspozite dokumentohet aktualiteti artistik vendeve prej nga vijnë artistë, të cilët në kohën e krijimit të veprës kanë qenë ende të rinj, edhe pse sot janë emra të njohur në nivel ndërkombëtar. Mes artistëve pjesëmarrës janë: Mircea Cantor, Jeremy Deller, Cyprien Gaillard, Carlos Garaicoa, Django Hernandez, Gabriel Kuri, Jonathan Monk, Anri Sala, Simon Starling, Tomas Saraceno, Tino Sehgal, Chen Zhen, Mario Airò, Stefano Arienti, Eva Marisaldi, Maurizio Cattelan, Grazia Toderi, Francesco Vezzoli etj. Anri Sala është ndër protagonistët më të njohur të panoramës artistike ndërkombëtare, duke marrë pjesë në veprimtaritë më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›