Maturantët, 75% vlerësohen me nota mesatare
Maturantët e këtij viti janë vlerësuar me më shumë 9 dhe 10 krahasuar me vitin e kaluar. Nëse vjet numëroheshin plot 450 nxënës që kishin marrë notën maksimale në provimin e dytë të detyruar të Maturës Shtetërore, sivjet janë regjistruar 3266 maturantë, që janë vlerësuar me notën 9 dhe 10. Numri në total i pjesëmarrësve në provimet e Maturës Shtetërore për vitin 2009-2010 ishte më i vogël në dallim me një vit më parë. Nëse vjet u testuan 35 mijë e 724 maturantë, kësaj radhe ishin vetëm 35 mijë e 115 nxënës. Sipas përfaqësuesve kryesorë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, numri i nxënësve që nuk kanë mundur ta kalojnë këtë provim arrin në 2970 maturantë, ndërsa vetëm 3191 persona janë vlerësuar me notën kaluese 5. Ndërkohë, numri i nxënësve që u vlerësuan me notat 6-7 është 27 mijë e 688 maturantë. Edhe pse shifra prej 2970 personash që janë mbetës në këtë test është relativisht e konsiderueshme, ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti që në raport me vitin e kaluar ky numër është më i vogël. Kjo tregon që është rritur ndërgjegjësimi i maturantëve për t’i kushtuar më shumë vëmendje programeve mësimore gjatë 4 viteve të shkollës së mesme. E megjithatë, sipas nxënësve, meritë për këtë ka edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, e cila e kishte bërë hartimin e pyetjeve të testit në shkallë të ndryshme vështirësie, në mënyrë që të gjithë të kishin mundësi të vlerësoheshin në bazë të kapacitetit të tyre.
RezultatetMinistria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi gjatë paradites së djeshme se ka përfunduar procesi i korrigjimit të tezave të matematikës. Menjëherë pas publikimit të notave në uebsajtin zyrtar të ministrisë, fletët e provimeve janë dërguar në drejtoritë përkatëse të shkollave të mesme. Më pas listimi i rezultateve është afishuar pranë sekretarive të shkollave. MASH-i bën me dije se numri i maturantëve që morën pjesë në këtë provim ishte më i vogël se ai i vitit 2009, pra 35 mijë e 115 nxënës, nga 35 mijë e 724 që u testuan vitin e kaluar. Korrigjimi i tezave është bërë në 4 qendrat kryesore të vlerësimit, siç janë: Tirana, Fieri, Shkodra dhe Elbasani. Notat e provimit të matematikës, bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, e cila parashikon një afat prej 15 ditësh për korrigjimin e testeve, duhet të ishin publikuar më datë 30 qershor. E, megjithatë burime nga MASH pohojnë se vonesa erdhi për shkak se data kur duhet të afishoheshin notat e matematikës, do të zhvilloheshin edhe provimet me zgjedhje. Madje ata kanë pohuar se një faktor tjetër që ka ndikuar në shtyrjen e datës së publikimit të rezultateve të matematikës, ishte edhe vlerësimi i dyfishtë, apo i trefishtë i provimeve kur ka qenë e nevojshme.
Fotokopja e testitPas publikimit të provimit të letërsisë, Ministria e Arsimit vuri në dispozicion plot 7 ditë për maturantët që do të shfaqnin pakënaqësi për notën, me të cilën ishin vlerësuar. Bazuar në këtë parashikim të MASH-it, u mendua se kjo procedurë do të ndiqej edhe me tri provimet e tjera, atë të matematikës dhe të dy provimeve me zgjedhje, por në fakt nuk ndodhi kështu. MASH-i ka vendosur që procesi i ankimimit të shtyhet pas publikimit të rezultateve të provimeve me zgjedhje. “Ankimimi” në këtë rast parashikon pajisjen e nxënësit që pretendon se nuk është vlerësuar si e ka merituar, me fotokopjen e testit. Kjo, sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, do të bëhet e mundur vetëm pas datës 15 korrik, kur të jenë publikuar notat e testeve me zgjedhje. Sipas këtij urdhri të ministrit të Shkencës, Myqerem Tafaj, nënkuptohet se maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e një, dy ose katër testeve të provimeve që ka zhvilluar deri më tani, në varësi të kërkesave që do të ketë secili.
#