E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ansambli Kombëtar Tingujt e muzikës popullore ndezin skenën

Koncerti që u zhvillua në TKOB ngjiti në skenë dhe këngëtaren Eli Fara
Tingujt e muzikës popullore kanë mrekulluar publikun, të cilat erdhën nga koncerti që u zhvillua nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore. Publiku në këtë koncert që u zhvillua mbrëmë në skenën e TKOB, shijoi disa prej pjesëve më të mira të krijimtarisë sonë popullore. Publiku pati mundësinë të shijonte tingujt tradicionalë kombëtarë, nën interpretimin e artistëve të njohur të ansamblit. Por e veçanta e kësaj mbrëmjeje ishte prania e këngëtares së njohur, Eli Fara, e cila ka kënduar së bashku me ansamblin. Në këtë koncert është shpalosur një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle nga më të bukurat e folklorit tonë, duke sjellë në skenë një koncert të veçantë për publikun. Gjithnjë me modesti dhe thjeshtësi këngëtarja e njohur e këngës korçare Eli Fara tregon se jeta e saj tashmë është mes këngës, duke rendur pas së resë dhe të bukurës.   Këngëtarja që këndoi Çupëzë beqare moj, Qeraxhiu i Grebenes, Kur nata Korçën mbulon, Ku je nisur të vesh ti etj, tregon se me këngën ka marrë emocione të veçanta. Vetëm një vit më parë ajo ka nxjerrë në treg albumin e saj më të fundit me titull Të dua për vete, ndërkohë që albumi para tij ishte Vjeshta, ku përveç krijimeve të reja, janë përfshirë edhe perlat e repertorit të saj. Në këtë album, i cili vjen me këngë popullore, gjysma e tyre është balada. Përmban shtatë krijime të reja në folk dhe dy janë këngë që ajo i quan perla që janë Qeraxhiu i Grebenes dhe 25 gërsheta. Ajo tregon se këto këngë që kur janë kënduar për herë të parë në skenë, janë kërkuar gjithmonë nga publiku. Për këtë ajo ka vendosur që ato të jenë dhe pjesë e albumit. Mendova që në këtë koncert të vij para publikut me këngën 25 gërshetat, e cila është nga të parat këngë të mia dhe më pas do të këndoj dhe këngën Mora rrugën për Misir, që është dhe pjesë e albumeve të mi të fundit si dhe këngën time më të fundit, e cila është po pjesë në album Të dua për vete, tregon këngëtarja e njohur dhe aq e adhuruar nga publiku Eli Fara, e cila solli në skenë disa prej perlave të folkut shqiptar. Ndërkohë që flet për krijimtarinë e saj artistike ajo tregon se: Kënga popullore tek unë zë një vend të veçantë por më pas dhe gjinia tjetër ajo e serenatës zë një vend të rëndësishëm tek unë, që unë e kam bërë pjesë të krijimtarisë sime, por nuk ngelen pas dhe baladat. Së fundmi kam bërë disa balada dhe besoj se kjo është një nga gjinitë e fshehura, sekrete dhe të dashura për mua. Më tej ajo shton se: Është normale që të jem e kënaqur dhe për mua kjo është e veçantë. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është shumë i rëndësishëm në vendin tonë, por gjithashtu ai ka në përbërje të tij dhe njerëz profesionistë. Nuk është hera e parë që unë marr pjesë duke kënduar në Ansamblin Popullore, pasi kam pasur bashkëpunime dhe më përpara, por ky koncert për mua është si një fillim ndryshe për mua. Ndërkohë që, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë komponentët artistikë dhe teknike të një trupe artistike. Ky ansambël përbëhet nga solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë së lashtë e bashkëkohore, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave popullore që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar kështu një harmoni të madhe motivesh. Folku shqiptar shquhet nga ai i vendeve të tjera për origjinalitetin, lashtësinë si dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Shqipëria ka shumë zona etnografike, ku secila ka veçantitë e saj në kostume, këngë, valle, rite, zakone, doke, të cilat edhe brenda një zone kanë origjinalitet të ndryshëm. Ansambli, prej dekadash, është kthyer në një laborator për përpunimin dhe ekzekutimin me kërkesa të larta artistike të këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton brez pas brezi. Ansambli është pjesëmarrës i dhjetëra Festivaleve Ndërkombëtare, Kontinentale dhe Ndërkontinentale, ku me repertorin dhe elementët interpretues, me virtuozitetin e valltarëve, vokalin e këngëtarëve dhe orkestrinën e tij, ka bërë që të jetë një nga Ansamblet më të kërkuara sot në botë. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›