E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmi i TVSH-së i nominuar në festivalin e Zeta Jones

05/06/2009  “Shqetësimet e një obezi”

Është nominuar ndër tre më të mirët për kupën angleze të edicionit të katërt të festivalit të filmit “Swansea Bay”, që ka filluar të zhvillohet nga datat 30 maj deri më 6 qershor në Uells të Britanisë së Madhe.

“Shqetësimet e një obezi”, filmi me regji dhe skenar të Pluton Vasit, produksion i Televizionit Publik Shqiptar

merr pjesë në festivalin britanik të Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen, për të cilin pritet që vlerësimi të bëhet mbrëmjen e 6 qershorit.

Një “festival hollivudian”, siç e cilëson edhe vetë krijuesi Vasi, në “Swansea Bay” janë përzgjedhur filma sipas pesë kategorive, që nga ata të metrazhit të shkurtër deri në metrazhin e gjatë, ku çdo kategori përfaqësohet me nominimin e tre filmave më të mirë, nën filmin 70 min.

“Shqetësimet e një obezi”, edhe pse nuk ka pasur një shfaqje të gjerë në publik, duket se ka pasur një fat të mbarë. I prezantuar fillimisht në dhjetorin e shkuar mes një grupi miqsh dhe kolegësh, filmi ka marrë pjesë në disa festivale, mes të cilëve edhe në “Las Vegas film festival”, ku u vlerësua maksimalisht.

I cilësuar si “një komedi dramatike”, gjatë 65 minutave film mbi subjektin e thjeshtë vijnë e ndërtohen plot situata komike. Në qendër është historia e një gazetari, i cili ka fituar projektin mbi realizimin e një dokumentari mbi personalitetin në Shqipëri.

Një grua, Agllaija (Mariana Kondi) gruaja e gazetarit Peçi Poro (Xhevahir Zeneli) dhe i dashuri i saj (Arben Derhemi) janë personazhet e filmit, tek i cili një peshë të rëndësishme zënë dhe personazhet e intervistuar. Dyzimi i personalitetit të njeriut, sidomos në tranzicionin e gjatë shqiptar, jepet përmes notash plot humor.

Peçi kërkon të ngrejë probleme për shqetësime dhe situata të vështira në realitetin shqiptar, si divorci, paraja, xhelozia. Ai shtron edhe pyetje të tilla, si: sa ndikon hyrja në NATO në shtimin apo uljen e numrit të divorceve? Dhe për këtë merr përgjigje shpesh nga më absurdet. Përgjigje që, gjithsesi, vijnë nga personazhe reale e që rrëfejnë realisht për situatën në Shqipëri. Për “Shqetësimet e një obezi” realizuesit e tij kanë përdorur materiale arkivore nga Televizioni Shqiptar, si dhe kanë realizuar një sërë intervistash në terren.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›