E Diel, 1 Nëntor 2026

Firmat pirate grabisin inertet në kodrat e Agonasit, banorët ndalojnë punën e makinerive

Një firmë pirate që kishte nisur prej disa ditësh gërmimin në një nga kodrat e komunës Golem në Kavajë është ndaluar nga vetë banorët e kësaj komune. Prej disa ditësh në Kodrën e Lepurit në fshatin Agonas mjete të rënda të një firme, që thuhet se ndërton një rrugë në Durrës, gërmonin materialin e kodrës dhe më pas inertet që nxirrnin prej andej i dërgonin në rrugën që po ndërtohet mes përmes zonës së Kënetës në Durrës drejt parkut energjetik në Porto Romano. Një gjë e tillë është vënë re menjëherë nga banorët e fshatit Agonas, ndërkohë që kryeplaku i këtij fshati Muhamet Rreshka ka qenë i pari që ka kërkuar largimin e mjeteve nga kjo zonë. Mjetet kanë qenë duke gërmuar në mënyrë të paligjshme, sepse asnjë lloj leje nuk ishte marrë nga komuna e Golemit për një gjë të tillë. Kjo është konfirmuar edhe nga kryetari i komunës së Golemit Agron Agalliu, i cili tha se sapo mësuam për ekzistencën e mjeteve në fshatin Agonas, bëmë bllokimin e punës dhe kërkuam largimin e tyre nga territori. Në fakt kodra e Lepurit në fshatin Agonas është përdorur për gërmime dhe nxjerrjen e inerteve për nevojat e vetë komunës. Muhamet Rreshka është shprehur se me inertet dhe materiali që është marrë nga kjo kodër janë shtruar disa kilometra rrugë. Shtrimi i tyre është bërë nga vetë banorët e fshatrave të Agonasit, Kanaparasit dhe Seferesit. Në total janë shtruar afro 10 km rrugë që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin, si ajo midis Agonasit dhe Kanaparasit (nga inkubatori i pularisë deri në lagjen Berberaj) me gjatësi 4 km, rruga nga kryqëzimi i shkollës deri tek kryqëzimi i kodrës së Haxhi Shehit me gjatësi 3 km dhe rruga nga kodra e Lepurit deri në lagjen Çehaj (Mali i Robit) 3 km e gjatë. Punimet në rrugët e mësipërme janë bërë vetëm nga banorët, ndërsa komuna nuk ka dhënë asnjë lekë për gërmimin dhe shtrimin e tyre. Tashmë këto rrugë, ndonëse të paasfaltuara, janë bërë të kalueshme edhe në dimër, falë materialit të kodrës që nuk krijon baltë. Kryeplaku Muhamet Rreshka thotë se kemi shfrytëzuar mjetet e njëri-tjetrit për të bërë këtë punë, madje kur ka pasur nevojë nga banorët e fshatit për mbushjen e themeleve në ndërtimet e reja, është treguar një konsensus për të gjithë duke mos nxjerrë probleme. Kodra ku gjendet materiali i veçantë i inerteve është pronë e komunës dhe në shumë raste firma të ndryshme kanë marrë dhera pa lejen e komunës. I tillë ka qenë edhe rasti i firmës që ndërton rrugën e parkut energjetik në Porto Romano të Durrësit, e cila kërkon një sasi mjaft të madhe materiali të tillë për mbushje për shkak se niveli i rrugës do të ngrihet me rreth dy metra. Rruga klon mes përmes ish Kënetës dhe do të ketë një gjerësi prej 22 metrash. Komuna e Golemit ka shumë fshatra që gjenden larg rrugës nacionale Durrës-Kavajë dhe shumica e tyre janë me rrugë të pashtruara. Pak nga pak janë vetë banorët e fshatrave të tilla si Zikxhafaj, Agonas, Seferas dhe Kanaparaj që e kanë marrë vetë iniciativën pa pritur projektet e komunave apo qeverisë, të cilat kujtohen vetëm një herë në katër vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›