Ansambli Shota, në Tiranë për koncertin e pavarësisë së Kosovës
Në datën 17 shkurt, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jepet një koncert me këngë dhe valle popullore me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat shqiptare do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore të Shqipërisë dhe nga artistët e Ansamblit Shota të Prishtinës. Në këtë koncert, ku do të mbizotërojë tradita kombëtare
folklorike do të ngjiten në skenë emrat më të njohur të folklorit shqiptar. Vallja për Adem Jasharin, Vallja e shqipeve, Vallja e Bajram Currit, kënga Nanë u nisa për në çetë janë disa nga pjesët e programit të koncertit. Në këtë koncert, ku do të mbizotërojë tradita kombëtare folklorike do të ngjiten në skenë emrat më të njohur të folklorit shqiptar. Po përgatitemi për koncertin që do të zhvillojmë në datën 17 shkurt me artistët e ansamblit. Në këtë koncert do të ketë një repertor të pasur artistik që do të shfaqet për publikun në ditën e pavarësisë së Kosovës. Kështu në skenë do të jetë Grupi vokal, do të këndojnë emra të njohur të ansamblit. Po kështu do të ketë dhe një larmi vallesh, të cilat do të interpretohen nga valltarët e ansamblit, u shpreh Lejla Agolli, drejtuese artistike e Ansamblit. E konsideruar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme për kombin shqiptar, për të festuar këtë ditë institucionet kulturore në Shqipëri dhe në Kosovë kanë filluar përgatitjet për zhvillimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme kulturore. Festa e pavarësisë së Kosovës, do të sjellë në Tiranë dhe Prishtinë një larmi aktivitetesh, të cilat do të kenë protagonistë artistë të njohur të skenës shqiptare, si dhe emra të njohur të artit dhe kulturës. Veç AKKVP janë dhe një sërë institucionesh të tjera kulturore që kanë filluar përgatitjet për të festuar këtë datë të shënuar për kombin shqiptar, ku të gjitha aktivitete do të kenë tematikë kombëtare. Ndërkohë që bëhet e ditur se në Prishtinë kjo ditë e shënuar do të festohet mes një atmosfere festive madhështore. Kështu veç koncertit të Filarmonisë së Kosovës, aktivitetet e tjera do të pushtojnë institucionet kulturore, të cilët janë në përgatitjet e tyre më të fundit. Gjithashtu, janë planifikuar dhe koncerte të tjera, panaire dhe ekspozita fotografish. Edhe në vitet e mëparshme, pavarësia e Kosovës është festuar mes një atmosfere, e cila ka mbledhur artistët më të mirë shqiptarë.