E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ansambli i këngëve dhe valleve sukses në Beograd



Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Tiranës në sallën e madhe Kolarçev të Beogradit ka korrur sukses. Në një interpretim prej gati dy orësh, këngët dhe vallet më tradicionale të folklorit shqiptar u interpretuan me mjeshtëri nga artistët më të njohur si Rexhep Celiku, Lili Cingu, Irini Qirjako etj. Eventi u mbajt më 1 gusht dhe shfaqet u ndoqën nga një publik i gjerë ku spikati prezenca e specialistëve të njohur të folklorit, personaliteteve të kulturës në Beograd. Drejtori i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor, Zhani Ciko, vlerësoi se “Mikpritja për Ansamblin Shtetëror të Shqipërisë në Beograd, është mënyra më e mirë për të shprehur dëshirën për afrimin mes dy popujve. Nëpërmjet kulturës, kuptojmë dhe ndërtojmë më mirë lidhje të forta midis vendeve tona qe jane prane gjeografikisht dhe emocionalisht” – theksoi Ciko.
Ansambli Shtetëror i këngëve dhe valleve të Shqipërisë, ka 55 vjet jetë dhe deri tani ka shfaqur rreth dhjetë mijë koncerte në vend dhe në të gjithë botën.

MTKRS fond shtesë mbi veprimtaritë kushtuar 100- vjetorit të Nënë Terezës

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga vendimet e djeshme të qeverisë në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave vendosi që Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’i shtohet fondi prej 24 928 000 (njëzet e katër milionë e nëntëqind e njëzet e tetë mijë) lekësh, për realizimin e veprimtarive në kuadër të festimeve të 100 - vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Presidenti Topi pjesmarrës në veprimtarinë kulturore 'Mea Puglia Festival 2010' në Bari
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ftuar nga autoritet vendore të Rajonit të Puljas ishte i pranishëm më 1 gusht në veprimtarinë e rëndësishme kulturore të zhvilluar në Çelino San Marko “Mea Puglia Festival 2001”. Në këtë ngjarje të veçantë kulturore ishin të ftuar edhe shumë personalitete të larta italiane dhe të huaja. Gjatë këtij koncerti festiv u bënë edhe përshëndetjet e rastit dhe Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet ngrohtësisht me Presidentin e Rajonit të Puljas, Niki Vendola, me Prefektin e Barit, Karlo Skilardi dhe Presidentin e Pronvincës së Brindizit, Masimo Ferrareze. Kryetari i Shtetit shqiptar dhe autoritetet vendore të Rajonit të Puljas vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe si dhe vunë në dukje veçanërisht rolin e jashtëzakonshëm e të rëndësishëm të emigrantëve shqiptarë në Itali për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve historike, kulturore dhe ekonomike mes dy vendeve dhe popujve tanë tradicionalisht miq.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›