E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali,fituesit shpallen brenda datës 10 gusht



Emrat e të rinjve shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në universitetet italiane do të shpallen brenda datës 10 gusht 2010. Ambasada Italiane ka njoftuar kandidatët se sipas afatit të vendosur nga Ministria e Universiteteve Italiane, brenda kësaj sate do të publikohen listat e kandidatëve të pranuar për t’u regjistruar në universitetet italiane. Po kështu janë bërë të ditura datat e regjistrimit, si dhe janë dhënë informacione në lidhje me procedurat. Kriteret dhe përmbajtja e provimeve të pranimit në universitetet italiane, janë bërë të ditura për kandidatët. Maturantët shqiptarë, të përzgjedhur nga Ambasada Italiane, për të nisur para regjistrimin në universitetet italiane dhe që kanë kaluar me sukses dy provimet me zgjedhje të Maturës do të nisen drejt Italisë në ditët e fundit të muajit gusht, pasi të jenë pajisur me viza nga ambasada. Maturantët e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme apo të regjistruar në vitin e fundit të sistemit universitar 3-vjeçar, që do ta marrin Dëftesën dhe Diplomën brenda verës së vitit 2010, duhet t’i dorëzojnë këto dy dokumente në Ambasadë brenda datës 10 gusht 2010, ora 12.00. Edhe në këtë rast dokumentet duhet të jenë të vërtetuara nga noteri, të përkthyera dhe të vulosura nga institucionet përkatëse.
Vizat
Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur që nga data 24 gusht. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Studentët do të kalojnë disa kohë në pritje në vendin fqinjë para nisjes së studimeve në këtë vend, derisa universitetet italiane të shprehen zyrtarisht se cili prej tyre do të pranohet. Kështu, pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Përcaktimi i fituesve në Itali do të bëhet para nisjes së vitit të ri akademik 2010-2011. Ndërkohë që të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk do të renditen te listat e fituesve në universitetet italiane nuk duhet të dëshpërohen, pasi për ta do të ketë një shans të dytë për të studiuar në Itali, megjithëse jo në degën e preferuar.
Vendet
Të rinjtë që nuk do të bëhen pjesë e listave të fituesve mund të regjistrohen më pas në një degë tjetër, jo në degën që ata preferonin. Kjo është një mundësi e dytë që universitet italiane ofrojnë për studentët shqiptarë. Brenda datës 12 dhjetor 2010 universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira në fakultetet e tyre. Kjo do tu jap mundësinë atyre që kanë mbetur jashtë listës së fituesve të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla me të cilat aplikojnë edhe italianët.
Datat e konkurseve të pranimit do të zhvillohen nga data 1 shtator deri në datën 20 shtator.

Kalendari i datave për konkurset e pranimit

1 shtator 2010

Provimi i njohjes së Gjuhës italiane

2 shtator 2010
Konkursi i pranimit për degët Mjekësi dhe Kirurgji

3 shtator 2010

Konkursi i pranimit për degën Stomatologji

6 shtator 2010

Konkursi i pranimit për degën Mjekësi Veterinare

7 shtator 2010

Konkursi i pranimit për degën e Arkitekturës

8 shtator 2010

Konkursi i pranimit për Profesionet e Shëndetësisë

20 shtator 2010

Afatet për shpalljen e listave dhe marrjen e vizave

10gusht2010
Sipas afatit të vendosur nga Ministria e Universiteteve Italiane, brenda datës 10 gusht do të dalin listat e kandidatëve të pranuar për t’u regjistruar në universitetet italiane, datat e regjistrimit, informacion në lidhje me procedurat, kriteret dhe përmbajtja e provimeve të pranimit etj.

24gusht2010
Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur që nga data 24 gusht. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011.

Studimet në Itali drejt fundit shpallja e fituesve

Ambasada italiane në Tiranë ka bërë me dije së pranë Zyrës Konsullore të Tiranes dhe selive konsullore të Shkodrës dhe Vlorës është drejt përfundimit procesi i vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga të rinjtë shqiptarë që kanë aplikuar për tu regjistruar në universitetet italiane. Çdo vit një numër i konsiderueshëm maturantësh shqiptarë preferojnë të studiojnë në universitetet italiane. "Zyrat konsullore italiane në Shqipëri, ashtu si të gjitha përfaqësitë diplomatike-konsullore italiane në botë, janë të detyruara të zbatojnë urdhëresat e Ministrisë së Arsimit, universitetit dhe Kërkimit të Republikë së Italisë për tre-vjeçarin 2008-2011 për regjistrimin e studentëve të huaj në universitetet italiane", sqarojnë përfaqësuesit e ambasadës italiane në Tiranë. Të rinjtë shqiptarë preferojnë universitetet e shtetit fqinjë për prestigjin dhe për faktin tjetër se diplomat e universiteteve shqiptare, qofshin këto publike apo private, nuk njihen në vendet e tjera evropiane. Ndërkohë që një diplomë në një universitet evropian, sikundër janë edhe ato italiane, i jep tjetër kredibilitet diplomës së marrë. Ambasada italiane ka theksuar se rregullat për regjistrimin pranë universiteteve italiane dhe për marrjen e vizës studim/universitet janë publikuar edhe në adresën www.ambtirana.esteri.it, janë përsëritur në kartelat që janë shpërndarë pa pagesë, si dhe janë reklamuar në njoftimet e afishuara pranë ambasadës dhe selive konsullore.

Italia ofron 110 muaj bursa studimi për studentët shqiptarë

Italia ofron 110 muaj bursa për studentët shqiptarë, për vitin akademik 2010-2011. Ministria e Punëve të Jashtme italiane, u ofron edhe këtë vit shtetasve shqiptarë, 110 muaj bursash për t’u kryer pranë institucioneve shkencore italiane. Sipas njoftimit të posaçëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, për shkak të disponibiletit të kufizuar ekonomik, për vitin akademik 2010-2011, mund të financohen vetëm bursa me datë fillimi 1 tetor 2010 deri më 30 shtator 2011. Bursat që do të jepen studentët shqiptarë ofrohen për sektorët e mëposhtëm: kërkime, kurse pasuniversitare (doktoratura, master, specializime me përjashtim të disiplinave mjekësore), kurse të ndryshme (pranë akademive, konservatorëve, shkollës kombëtare të Kinematografisë), me një kohëzgjatje prej 3, 6, 9 ose 12 muajsh, si dhe kurse të gjuhës e kulturës italiane, për mësuesit e gjuhës italiane me një kohëzgjatje prej 1, 2 ose 3 muajsh. Aktivitete të tilla mund të zhvillohen pranë institucioneve të mëposhtme: universitete; institute të larta të formimit artistik e muzikor; Institutit të Restaurimit; shkollës kombëtare të Kinemasë; qendrave e laboratorëve të kërkimit; bibliotekave, arkivave, muzeve dhe institucioneve të tjera shtetërore. Një vëmendje e veçantë do t’u rezervohet projekteve të kërkimit, në lidhje me bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve, në sektorët e mëposhtëm: Gjuha e kultura italiane; Kooperimi ekonomik; Historia dhe marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë, në mënyrë të veçantë nga viti 1912 deri më sot; Arkeologjia; Muzika dhe aktivitete të tjera artistike; Urbanistika dhe Arkitektura; Progresi teknologjik; Turizmi si dhe Turizmi ekokompatibël; Shëndeti publik.

5 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›