Përplasje në KS për Kosovën, Serbia nuk njeh vendimin e GJND-së
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është shoqëruar me debate të ashpra për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Përplasjet kanë ardhur mes përfaqësuesve të Prishtinës e Beogradit nga njëra anë dhe vendeve anëtare që e kanë njohur Kosovën dhe atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Debati në Këshillin e Sigurimit u përqendrua në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të cilin Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj.
Hyseni
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni gjatë seancës kërkoi që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Ministri Hyseni, formalisht i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të miratojë një rezolutë të re, e cila do të pasqyrojë realitetin e krijuar me pavarësinë e Kosovës. Hyseni u kërkoi 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që ta zëvendësojnë rezolutën 12 44, nga viti 1999. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ai tha se teksti i ri do të duhej të pasqyrojë realitetin e krijuar nga pavarësia e Kosovës dhe mbështetjen e saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Kërkesa jonë për zëvendësim të 12 44-shit, është në linjë me objektivin përfundimtar të Kosovës për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara”, - deklaroi Hyseni.
Jeremiç
Serbia vazhdon të mos ndryshojë qëndrim edhe pas vendimit të GJND-së për Kosovën. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, e ka cilësuar vendimin e gjykatës si mundësi për keqinterpretim të rrezikshëm dhe ka vlerësuar se ajo nuk i jep të drejtën Kosovës për t'u shkëputur dhe për pavarësi. Ai tha se vendi i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se Serbia do të provojë që me mjete diplomatike të ruajë tërësinë tokësore të saj. “Serbia është e përkushtuar të punojë me Prishtinën dhe bashkësinë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dy palët për të gjitha çështjet përmes dialogut paqësor. Unë besoj se duhet të angazhohemi sa më parë që të jetë e mundur”, - tha Jeremiç. Serbia kishte prezantuar një projekt rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, e cila bën thirrje për negociata të reja për Kosovën, por nuk insiston në bisedime të reja për statusin. Britania e paralajmëroi Serbinë se çdo përpjekje për të minuar pavarësinë e Kosovës, do të nxiste konfrontime me vendet që e kanë njohur Prishtinën.
Apeli
OKB-ja i ka bërë thirrje Serbisë që t’i japë fund debateve rreth pavarësisë së Kosovës.“Procesi legal para GJND-së mori fund dhe kjo nënkupton edhe fundin e debatit rreth statusit të Kosovës”, - tha zëvendësambasadori britanik i OKB-së, Philip Parham.
Ai bëri thirrje për dialog politik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe pastaj i lëshoi një paralajmërim të rreptë Beogradit. “Nuk mund të ketë kthim në negociata për statusin e Kosovës apo kufijtë ekzistues të saj. Çdo përpjekje për të shkuar në këtë rrugë, do ta fuste Serbinë në konfrontim me ato (shtete) që e kanë njohur Kosovën”, - tha Parham, duke shtuar se:“Çdo përpjekje për të inkurajuar ndarjen e Kosovës, apo për bisedime mbi statusin, do të ishte kundër interesave afatgjata të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë. Mbretëria e Bashkuar do t’u rezistojë ashpër përpjekjeve të tilla”. Komentet e diplomatit britanik nxitën reagim të ashpër nga ambasadori i Rusisë, Vitalij Çurkin. “Ne dëgjuam diçka që u duk si kërcënim me konfrontim nga vendet që e kanë njohur Kosovën.
Ne nuk e dimë nëse një delegacion mund të flasë në emër të këtyre vendeve. Ne shpresojmë se shumica e tyre do të kenë qasje të përmbajtura”, - tha Çurkin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu shprehën mbështetje të plotë për Kosovën.
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kufijtë e saj janë të pacënueshëm”, - u shpreh zëvendësambasadorja amerikane Rozmari Di Karlo.
Kosova nuk pranon bisedime të nxituara për statusin e saj
Autoritetet në Kosovë hedhin poshtë çdo mundësi të bisedimeve për statusin, çështje kjo që u prek edhe në takimin e së martës të Këshillit të Sigurimit. Ndërsa, gjasat për bisedime teknike mes dy vendeve, sipas Prishtinës janë reale, vetëm në nivel të dy shteteve sovrane. Përndryshe, zyrtarët thonë se Prishtina nuk ka pse të ngarendë pas bisedimeve të tilla. Autoritetet në Prishtinë thonë se edhe në takimin e së martës për Kosovën të Këshillit të Sigurimit, ishte mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ai që mbizotëroi debatin. Edhe pse përfaqësues të të gjitha shteteve bënë thirrje për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, zyrtarët në Prishtinë thonë se do ta marrin shtruar këtë çështje. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka mbyllur çdo mundësi që të bisedohet sërish për statusin, qëndrim ky që u mbështet edhe në Këshillin e Sigurimit nga vendet që e kanë njohur Kosovën, si SHBA-të dhe Britania e Madhe. Ndërsa, në bisedime teknike, sipas Kuçit, Kosova hyn vetëm si palë e barabartë. “Për bisedimet mendoj se janë dy kategorizime në bashkësinë ndërkombëtare: Ata që mendojnë se duhet të bisedohet për nivelet e bashkëpunimit rajonal në nivel të barabartë ndërshtetëror dhe të tjerët që mendojnë aty-këtu për statusin e Kosovës. Por, mendimi i GJND-së ka dhënë përgjigjen më të mirë në këtë drejtim. Nuk mund të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ide të tilla janë të papranueshme edhe moralisht jo shumë adekuate. Në anën tjetër, mund të bisedohet si dy shtete sovrane të pavarura, por Prishtina nuk ka asnjë arsye të ngarendë në bisedime të tilla”, - thotë Kuçi. Por, zyrtarët serbë kanë qëndrim tjetër. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, thotë se edhe në bisedimet teknike, do të jetë i ndërlidhur statusi. “Në këtë rast, shqiptarët e Kosovës po tregojnë se nuk janë të interesuar për qetësimin e situatës dhe për çfarëdolloj dialogu. Ajo që duhet ta kuptojnë të gjithë pjesëmarrësit në këtë lojë politike është se në interes të të gjitha palëve të përfshira në këtë problem, është që të stabilizohet gjendja dhe të qetësohet situata. Të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur derisa të ketë bisedime. Do të bisedojmë për gjëra teknike, por nuk mund t’u ikim bisedimeve për statusin, sepse shumë çështje teknike janë të lidhura drejtpërdrejt me statusin e pazgjidhur”, - shprehet Ivanoviç. Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, nuk shprehet optimist se mund të ketë bisedime të shpejta. “Palët kanë pozicione të largëta dhe as afër nuk shihet ndonjë kompromis lidhur me agjendën dhe formatin, vendin dhe ndërmjetësit e këtyre bisedimeve, e kur kihen këto parasysh, vetëm ndonjë presion mund t’i ulë të dyja palët në një dialog”, - shprehet Gashi. Bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit janë përmendur si mundësi që para se GJND-ja të jepte mendimin e saj për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.
5 Gusht 2010