Ansi Agolli firmos me Krivbasin
Ansi Agolli, autori i golit të barazimit 1-1 të Shqipërisë me Gjeorgjinë, përfundimisht është larguar nga Tirana, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare me Krivbasin në Ukrainë.
Sipas raportimeve të mediave, mesfushori tiranas, 26 vjeç, me një të kaluar ndërkombëtare në Zvicër e Finlandë, do të përfitojë 300 mijë dollarë në sezon (900 mijë dollarë në total për tre vite).
Te Krivbasi luajnë edhe tre lojtarët e tjerë shqiptare, portieri Isli Hidi, mesfushori shkatërrues Ervin Bulku dhe fantazisti Dorian Bylykbashi, ky i fundit është dhe kapiteni i skuadrës.
Më 30 prill të këtij viti, presidenti i Tiranës, Refik Halili, pagoi 40 mijë euro për të blerë kartonin e mesfushorit nga klubi finlandez VPS, apo Vaasan Pallsouera, siç është emri zyrtar i skuadrës. Kjo shumë pritet të rikthehet në arkat e 24-herë Kampionëve të Shqipërisë. Agolli, i transferuar në Finlandë, pas përvojës në Zvicër me Neuschatel Xamax (2005-2006, 29 ndeshje, 3 gola) e Luzern (2006-2007, 8 ndeshje), ka luajtur në sezonet 2007 dhe 2008 me VPS, duke u aktivizuar në 31 ndeshje e shënuar 1 gol. Agolli, një lojtar titullar me përfaqësuesen, u aktivizua si i huazuar fillimisht e më pas lojtar i plotë sezonin e kaluar me Tiranën, duke qenë futbollisti i dytë me më shumë minuta në këmbë. Agolli shënoi pesë gola sezonin e kaluar. Ansi ka luajtur në Shqipëri i huazuar edhe te Apolonia (2002-2003, 12 ndeshje 1 gol), ndërkohë që me Tiranën në total ka zhvilluar 64 ndeshje, duke shënuar 8 gola.
LLANI
Portieri Ervin Llani (Shkumbini) është duke u testuar me Vorskla Poltava në Ukrainë, atje ku aktivizohen edhe tre lojtarët kosovarë, Armend Dallku, Debatik Curri e Ahmet Januzi. Vitin e kaluar, Llani u provua në Greqi te Thrasivolus. Në Ukrainë me Krivbasin luan edhe portieri i Kombëtares shqiptare, Isli Hidi.
Vorskla Poltava është fituese e Kupës së Ukrainës dhe merr pjesë në turin e tretë kualifikues të Ligës së Europës. Në kampionatin ukrainas luan me Zorja Lugansk sulmuesi Parid Xhihani.
VILA
Emiljano Vila e ka nisur me një gol aventurën e tij kroate me Dinamon e Zagrebit. Ish-mesfushori sulmues i Teutës realizoi nje nga golat në fitoren 11-3 të kampionëve të Kroacisë kundër sllovenëve të kategorisë së dytë, NK Kalcer-Vodoterm. Futbollisti i Kombëtares A shqiptare, i cili hyri në lojë me fillimin e pjesës së dytë në vend të Sammir, shënoi në minutën e 49-të golin e rezultatit 8-1, pas asistit të dhënë nga kamerunasi Chago. Ky ishte dhe goli i parë i Vilës me fanellën e Dinamos. “Përveç golit të tij pas vetëm katër minutash lojë, lojtari i Kombëtares shqiptare la një përshtypje të shkëlqyer. Karakteristikat e tij konfirmuan vlerësimet e bëra nga Oto Bariç, i cili ia përshkroi publikut si një lojtar ekstremisht të shpejtë”, - shkruante gazeta e madhe kroate “Jutarnji List”. “Në lidhje me përshtypjet e mia për Vilën unë mund të them se ishin pozitive”- citohet nga gazeta trajneri i Dinamos së Zagrebit, Kruno Jurçiç.
26 Qershor 2009