E Diel, 1 Nëntor 2026

Nard Ndoka mbyll fushatën në Dibër: “Shoh atmosferën e fitores së PDK-së”



“Ju sjell atmosferën e fitores për PDK-në dhe partitë e koalicionit ‘Poli i Lirisë’ dhe atë e rigjej të konfirmuar këtu midis jush”, - deklaroi nga Dibra kreu demokristian, Ndoka. Ndoka theksoi se gjeografikisht PDK-ja dhe aleatët e saj të koalicionit kanë parë në këtë fushatë një mbështetje absolute nga Vlora, Fieri, Elbasani, Lezha, Shkodra, Korça, mbështetje që e rikonfirmoi edhe në qarkun e Dibrës. Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale Ndoka shprehu besimin se në këto zgjedhje demokristianët do të jenë forca përcaktuese për maxhorancën e ardhshme qeverisëse. “Ne kemi prezantuar kandidatët dhe përfaqësuesit tanë më të mirë për ju. Janë këta persona që nesër do të jenë avokatët tuaj. Janë këta kandidatë që në Parlamentin dhe qeverisjen e nesërme do t’u mëshojnë me forcë projekteve për zhvillimin dhe përmirësimin e jetës suaj. Ne nuk premtojmë mrekullira, por premtojmë që do të jemi një zë dhe mbështetje e fuqishme për të gjithë ju. Unë dua t’i garantoj qytetarët e Dibrës dhe të të gjithë Shqipërisë se vota për Partinë Demokristiane dhe kandidatët e saj është votë për garantimin e vlerave themelore të demokracisë shqiptare, është votë për stabilitetin politik, është votë për interesat kombëtare, është votë për mirëqenien e çdo familjeje”, - theksoi Ndoka. Ndoka nënvizoi se ndryshimi i vërtetë nuk është zgjedhja midis së keqes më të vogël, por zgjedhje e më së mirës së mundshme, ndaj PDK-ja dhe Poli i Lirisë përbëjnë sot zgjidhjen më të mirë të mundshme në politikën shqiptare.
Ndërsa deputeti demokristian, Jak Ndokaj, i cili kryeson dhe listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, ka zgjedhur zonën e Paskuqanit, zonë në të cilën ai prej 8 vitesh ka marrë mbështetje dhe është rizgjedhur deputet për të bërë mbylljen e fushatës së tij elektorale.

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›