E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkato, Gramozi “skanon” dy kosovarë



Gramozi, surpriza e Kategorisë Superiore për sezonin 2009-2010, është mbërthyer nga ethet e merkatos. Skuadra kolonjare fitoi një vend midis 12 më të mirave të Superligës, pasi mposhti me një ndeshje spektakolar 5-2 në play-of Bylisin. Trajneri i njohur i kategorive inferiore, Ilir Qirjako, është duke vlerësuar aftësitë e dy lojtarëve kosovarë, sulmuesit Lataj dhe mesfushorit Prapashtica. Përshtypjet e para të teknikut janë pozitive. Në “lupën” e stafit të skuadrës së financuar nga gjiganti i karburanteve në Shqipëri, “Taçi Oil”, janë dhe dy portierë kolonjarë, por që vijnë nga kampionate të huaja: Argjir Ndreko nga Greqia dhe Andi Mersini nga Anglia. Pranë nënshkrimit të kontratës janë dhe tiranasi Besnik Çeliku dhe Florian Gjeci, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Kastriotit, një tjetër skuadër e ngjitur në Superligë, po përmes ndeshjeve play-of. Gramozi gjatë sezonit të kaluar në Kategorinë e Parë (vendi i katërt) ishte në versionin “samba”, pasi në gjirin e tij kishte katër lojtarë brazilianë, përfshirë edhe golashënuesin më të mirë të atij kompeticioni, Marko dos Santos.

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›