Antena Nord fiton 6-4 me Aluserv të Maltës

MINIFUTBOLL - Antena Nord, skuadra shkodrane e minifutbollit fitoi 6-4 me fituesen e Kupës së Maltës, Aluserv FC, edhe pse humbi pjesën e parë thellësisht 4-0, një takim i luajtur të dielën në Dingli të Maltës në orën 15:00
Lajmin për Albania-sport.com e jep gjyqtari ndërkombëtar Gjergji Bitri, i cili gjykoi së bashku me maltezin Stephen Mallia edhe ndeshjen miqësore. Të martën, në orën 20:00, Antena Nord do të luajë ndeshjen e dytë miqësore kundër kampiones së Maltës, Scandals Bar, ku sërish do të gjykojë Bitri.
Sipas ndërkombëtarit shqiptar, pjesa e parë ishte e ekuilibruar deri në mesin e saj, me Antena Nord që humbi disa raste të pastërta. Pas 3-4 rasteve te humbura nga Atena Nord vjen goli i parë për Aluserv që e gjen ne befasi mbrojtjen shkodrane. Në harkun e 7 minutave Aluserv shënon 4 herë pa pësuar duke mbyllur pjesën e parë në avantazh 4-0".
"Pjesa e dytë ishte një përmbysje e vërtetë, - thotë gjyqtari Bitri për Albania-sport.com, - brenda minutës së parë Antena shënon 2 gola dhe në minutat 9 dhe 14 shënon edhe 2 herë të tjera. Antena ka një qarkullim të dendur e të shpejtë të topit, që i vuri në vështiresi maltezët. Dua të theksoj se skuadra malteze, që ka në përbërje edhe 3 lojtarë serbë, filloi të bëjë gabime dhe faulla të njëpasnjëshëm duke plotësuar numrin 5 në minuten e 15 të pjesës së dytë. Shkodranët godisnin nga cdo pozicion duke përfshirë të gjithë lojtarët, madje goli i 5-të u shenua nga portieri i Antena Nord pas një goditje të lirë. 2 minuta para përfundimit shkodranët shënuan edhe golin e 6-të pas goditjes nga pika dytë e penalltise (faulli i gjashtë".
Në përbërje te Antena Nord janë 4 lojtarë të Kombëtares shqiptare. Në ekipin maltez luajnë 2 lojtare me Kombëtaren, portieri dhe një mesfushor. Aluserv FC, ekip i ardhur nga kategoria e 2-te Malteze, udhëhoqi prej fillimit deri ne fund Kampionatin e kategorise së Parë. Në play-off të gjithe e parashikonin si pretendentin kryesor, por humbi në gjysmëfinale me Scandals Bar, të cilët fituan pastaj edhe titullin e kampionit e që do të përfaqesojnë Maltën në UEFA Futsal Cup.