UEFA shtyn shortin, ja kundërshtarët e Dinamos

UEFA spostoi datën e hedhjes së shortit të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve, nga 27 qershori kur ishte parashikuar më parë, më 1 korrik, sërish në Nion të Zvicrës. Kjo dhe për shkak të angazhimeve në Kampionatin Europian, që përfundon më 29 qershor.
Në këtë tur marrin pjesë 28 ekipe kampione që renditen nga vendi i 23-të në Europë e deri te i 53-ti. Shqipëria në bazë të rezultateve në pesë vitet e fundit ndodhet në vendin e 43-të nga 53 federata që bëjnë pjesë në UEFA. E para është Anglia me dhe e fundit San Marino.
Kampionia e Shqipërisë, Dinamo (koeficienti 1.210) bën pjesë në vazon e ekipeve të dobëta, ku bëjnë pjesë edhe BATE Borisov (Bjellorusi), Levadia Tallin (Estoni) ,Inter Baku (Αzebajxhan), Pyunik Yerevan (Armeni), FK Aktobe (Kazakistan) , Linfield Belfast (Ilranda e Veriut), Llanelli FC (Uells), NSI Runavik (Ishujt Faroe), F91 Dudelange (Luksemburgu)- Valletta FC (Maltë), Santa Coloma (Andora), Buducnost Podgorica (Mali i zi) dhe Μurata (San Marino).
Në grupin e ekipeve të forta nga ku do të dalë edhe kundërshtari i bluve shqiptarë ndodhen Dinamo Zagreb (Kroaci, 17.836 koeficienti), Petrzalka Bratislava (Sllovaki), NK Domzale (Slloveni, skuadra që eliminoi Tiranën sezonin e kaluar), IFK Goteborg (Suedi), Anorthosis Famagusta (Qipro), Tampere United (Finlandë), Dinamo Tbilisi (Gjeorgji), FK Ventspils (Letoni), Rabotnicki (Maqedoni), FK Modrica (Bosnjë), BK Kaunas (Lituani), Sheriff Tiraspol (Moldavi), Drogheda United (Irlandë) dhe Valur Reykjavik (Islandë).
Një nga kundërshtarët e Dinamos është edhe skuadra qipriote Anorthosis Famagusta, ku aktivizohet portieri i Kombëtares shqiptare Arjan Beqaj. Sa për statistikë, Anorthosis është skuadra e 193-të më e fortë në Europë, ku e para sipas koeficentëve të pesë viteve të fundit është Celsi, që në total ka 127.586 pikë.